Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri, i cili ka shpallur kandidaturën për kreun e PD deklaron se elita drejtuese e partisë është në konflikt të hapur me anëtarësinë. Sipas tij, duhet të ketë garë për lidershipin, ose në të kundër PD të shkrihet fare.
Ai tha në “Real Story” në News24 se në parti janë diku 70-80% kundër Bashës, janë 20-30% me Bashën, por nuk është se janë me Bashën, janë kundër këtyre të tjerëve.
“Ky diskutim ka dy përmasa, një diskutim ligjor dhe një politik. Nga pikëpamja formale, detyra e atyre që e thirrën Kuvendin dhe e organizuan ka qenë që të vërtetonin, duke qenë në pozita më të dobëta formale, që të organizonin një Kuvend model, në kuptimin e respektimit të përpiktë të verifikimit të anëtarësisë që do merrte pjesë dhe të delegatëve.
Për mua kjo ndodhi, mu deshën 20 minuta të hyja që më njohin të gjithë. Ata janë me barcode dhe formularët që janë firmosur janë firmosur në përgjegjësinë e plotë të çdo personi. Pasnesër është akoma më e rëndësishme sepse ata që do votojnë duhet të firmosin procesverbalin e pjesëmarrjes, kur të marrin fletën e votimit. Kjo është barrë e përgjegjësisë të zotit Berisha dhe atyre që janë grupi i rithemelimit po themi që janë stafi i Kuvendit. Nga ana tjetër dhe kjo do të ketë shumë rëndësi për gjykatën. Depozitimi i akteve që ka bërë Kuvendi i datës 11 do përballet me një padi nga zoti Basha, ose me një kundër kuvend tjetër. Lidhur me thelbin që është politik, jemi në kushtet që kemi një elitë drejtuese të partisë në konflikt të hapur me anëtarësinë.
Në atë stadium dhe në foltore nga ata që kanë firmosur, të gjithë ata njerëz janë kundër Lulzim Bashës, pastaj se sa janë vota për Sali Berishën apo jo, është çështje tjetër që fillon pasi zgjidhet problemi ligjor. Një nga arsyet pse kam hyrë në garë është kjo. Nuk kam hyrë për të zënë ndonjë vend në paradhomën as të z. Berisha, as Bashës.
Gjendja e përgjithshme në parti është kjo, janë diku 70-80% kundër Bashës, janë 20-30% me Bashën dhe nuk është se janë me Bashën, janë kundër këtyre të tjerëve. Po të kishte pasur një referendum për largimin e Lulzim Bashës më 13 qershor të jeni të sigurt që do e kishin larguar. Që në momentin që shpallën kandidaturat Harxhi, Kadilli, Agron Shehaj filloi një dinamikë përplasjesh. Dolën nga shtëpitë për të shkuar për të votuar Lulzim Bashën njerëz që nuk donin këta të tre. Ca nuk duan Flamur Nokën, ca nuk duan Edvin Kullurin, është problem i madh ky sepse kështu lufta brenda llojit është më e ashpër se me kundërshtarin.
Zoti Berisha ka ikur si kryeministër humbës më 2013, bashkë me ne të tjerët, por përgjegjësinë kryesore e kishte ai. Zoti Basha ka dështuar në mënyrë spektakolare si kryetar i opozitës, ky është një fakt që nuk ka nevojë më ta diskutojmë dhe ju mendoni që demokratët, një pjesë e tyre jo e vogël nuk e mendojnë këtë?
E treta, faza e mendimit mekanicist në historinë e filozofisë politike ka mbaruar 150 vite para. Historia nuk përsëritet në mënyrë identike.
Shumë demokratë nuk e përfytyrojnë dot, duke nisur nga unë i pari, një parti fituese me zotin Berisha kryetar partie. Për mua kjo është verdikt i vulosur.
Çdo cikël politik ka një fillim, një zhvillim dhe një fund. Berisha në 2013 ka thënë nuk do kthehem më. Ka thënë do bëhem kryeministër? Berisha e ka thënë këtë edhe për të karikuar një pjesë që filloi të ftohej ditët e para. Këtu janë të ndarë njerëzit. Ka tre palë në parti. Ka një palë, shumica nuk duan Bashën, por kjo shumicë është e ndarë se kush duhet të jetë kryetari i ri i partisë, nga të cilët zoti Basha është i përjashtuar automatikisht. Kjo është garë e hapur, ne këtu do jemi, do hapen kutitë. Të fitojë zoti Berisha me garë të lirë e të ndershme, do t’i jap dorën. Fitova të më japë dorën. Unë mendoj që më mirë të jetë zoti Berisha në garë se të jenë kopje. E ardhmja e PD-së nuk mund të vazhdojë më me eksperimente të dështuara. O do ketë garë për lidershipin e partisë, o më mirë kjo parti të shkrihet fare”, tha Kulluri.