Ish deputeti i PD-së, Enkelejd Aliebaj thotë se PD i ka të gjitha mundësitë për ta rrëzuar Ramën me luftë dhe me protesta masive, por rruga që synon PD është ajo e largimit të Ramës me votë të lirë e zgjedhje demokratike. Alibeaj ka komentuar aksionin opozitar që pritet të ndërmarrë PD pas mbledhjes së zhvilluar të hënën pasdite mes krerëve të koalicionit, ku nuk është përmendur fjala protestë, por ish deputeti i PD-së, nuk e përjashton edhe këtë si mundësi për të larguar Ramën nga pushteti. Madje Alibeaj shpjegon se tani PD ka dhe mbështetje, pasi në fillim protestat e PD dukeshin si anti sistem dhe se Europa kërkon stabilitet, ndërsa tani janë të nevojshme për të luftuar krimin dhe korrupsionin.
“Çfarë duhet të bëjmë të gjithë në këtë rast? Problemi është tepër i madh dhe kush e ka konstatuar këtë problem e di shumë mirë se kjo është përgjegjësi e qeverisë. Ajo është shkaktarja, mirëpo edhe opozita ka përgjegjësinë e vetë. Rama duhej të ishte i pari që duhej të jepte dorëheqjen. Ne jemi vendosur për ta larguar, për ta hequr atë nga rruga e shqiptarëve drejt Europës. Kemi më shumë se 8 muaj, që kur filluam protestat për largimin e tij…
Ky person nuk pranon të jap dorëheqje. Për këtë njeri të përmbyset komplet, shi e rrebesh, këtij i lind dielli. Dielli i korrupsionit do të lind dmth dhe ne do të vijojmë aksionin opozitar me protesta masive, me çfardollojë mjeti për rrëzimin e tij. Unë besoj se edhe gjatë protestave të kaluara ne kemi arritur diçka. Nëse në fillim këto lëvizjet anti-sistem të opozitës që nuk njihte Europa sepse kërkonte stabilitet, tani më nuk janë më problem pasi janë të nevojshme për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Opozita mund ta marri pushtetin edhe me forcë, mund ta rrëzojmë Edi Ramën me luftë ose me përballje, e kemi fuqinë, ne kemi shqiptarët me vete, por nuk e duam një gjë të tillë. Ne kërkojmë ta marrim pushtetin përmes reformave të lira dhe demokratike”, tha Alibeaj në Abc News.
Në përfundim të mbledhjes me aleatët në selinë blu, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi tha se protesta do të ketë, por nuk dha një datë se kur do të nisin ato.