Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, zbuloi një ngjarje të ndodhur në kohën kur drejtonte këtë dikaster.
Teksa foli për konfliktin Izrael-Palestinë dhe qëndrimin e Shqipërisë në emisionin “Real Story”, në News24, Milo tha se kur ishte ministër i Jashtëm i shkonin në zyrë herë ambasadori i Gjermanisë, herë ai i Italisë, dhe i kërkonin që Shqipëria të mbështeste kandidaturën e tyre për anëtar të përhershëm në Këshillin e Sigurisë.
“Kur isha në detyrë si ministër i Jashtëm, vinte herë ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, herë ai i Italisë, dhe të dy më kërkonin, veç e veç, që Shqipëria të mbështeste kandidaturën e tyre për anëtar të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Unë ju thoja të dy ambasadorëve të nderuar “ju lutem mos e vini Shqipërinë në rolin e sanduiçit, ne ju kemi të dy vendeve partnere, zgjidheni me njëri-tjetrin”. Mirëpo, një ministër tjetër pas meje seç kishte bërë, ua kishte dhënë fjalën të dyve, dhe u vumë në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë. Duhet të ruajmë dinjitetin, të mos zvarritemi pas tjerëve, por ta themi me modesti atë që kemi për të thënë”, tha Milo.