Ish-poligoni i Vaqarrit, lagje e re për të prekurit nga tërmeti

AKTUALITET


Ish-poligoni i vjetër i Vaqarrit do jetë një nga lagjet e reja të Tiranës, ku do të strehohen një pjesë e familjeve te zonave përreth, që iu janë prishur shtëpitë e tyre nga tërmeti i 26 nëntorit. Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizituan të hënën hapësirën ku do të ngrihet kjo lagje e re, e cila ka një sipërfaqe mbi 4 hektarë dhe që është në pronësi të shtetit.

Kryeministri Rama theksoi se po merren të gjitha masat që të gjitha shtëpitë e rrënuara dhe që nuk rindërtohen, të bëhen të reja. “Për të gjithë bëhet më mirë. Në këtë rast është tokë shtet që ne do ta vëmë në dispozicion të banorëve. Për fëmijët bëhet mirë sepse kanë afër shkollën, çerdhen, kopshtin. Për më të moshuarit është shumë mirë sepse kanë afër qendrën shëndetësore. Në këtë mënyrë, fitojmë një lloj cilësie dhe shtëpitë do jenë shumë më të mira se ato që ishin. Po duhet edhe pak punë nga ana juaj për t’jua shpjeguar, se ndryshe është një mundësi e madhe e humbur dhe një mbetje në vend numëro. Nga kjo duhet të dalim te gjithë më mirë, familje, komuniteti”, tha Rama.

Po ashtu, gjatë takimit me kryepleqtë e fshatrave në zonën e Kasharit, Rama dhe Veliaj theksuan se deri në mesin e vitit të ardhshëm do jetë bërë volumi më i madh i punës, ndërkohë që ky proces do të ketë përfunduar brenda 2020-s. Sa i takon zonës urbane, banorët u siguruan se në 2021 ata do të jenë në shtëpitë e tyre të reja dhe do të kenë letrat në dorë.

“Toka është bujqësore, mbetet në pronësi të tyre, të bëjnë ç’të duan, askush në këtë proces nuk do marrë më pak se ç’ka. Më mirë Po, por më pak Jo. Më mirë Po. Ajo që duhet të bëjmë është që nga fjalët të kalojmë te veprat. S’kemi kohë pa fund sepse duhet ta bëjmë shpejt këtë proces. Duam që individualisht me shtëpitë e fshatit, deri në mes të vitit tjetër të kemi bërë një volum goxha të rëndësishëm dhe deri në fund të vitit tjetër t’i kemi mbyll te gjitha. Ndërkohë që në qytet është pak më e komplikuar, sepse do bëhen dhe ndërtime për apartamente etj, etj, por dhe për atë dua që  në 2021 të jetë mbyll procesi , ose të kenë hyrë në shtëpi ose e sheh që shtëpia është duke u ndërtuar dhe ti e ke letrën në dorë”, tha Rama.



Skip to toolbar