Ishulli Kharg, ‘zemra’ e naftës iraniane dhe pika që mund të vendosë fatin e ekonomisë botërore

BOTA


Ndërsa lufta në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet, vëmendja po përqendrohet gjithnjë e më shumë te një ishull i vogël shkëmbor në Gjirin Persik, që ndodhet në “zemër” të ekonomisë së naftës së Iranit: Ishulli Kharg.

Ky ishull, rreth 24 kilometra larg bregdetit iranian, ‘strehon’ terminalin kryesor të eksportit të naftës së papërpunuar të vendit (një pjesë e madhe e së cilës shkon drejt Kinës) dhe përmes tij kalon pjesa dërrmuese e dërgesave të naftës iraniane drejt tregjeve botërore. Rreth 85% deri në 95% e eksporteve të naftës së Iranit ngarkohen pikërisht në këtë pikë, përpara se cisternat të nisen përmes Gjirit Persik dhe Ngushticës së Hormuzit drejt destinacioneve ndërkombëtare.

Në praktikë, kjo e bën ishullin infrastrukturën energjetike më të rëndësishme që zotëron Irani!

Përgjatë dekadave, impiantet e tij kanë qenë një segment strategjik, dhe ayatollahët kanë punuar për t’i përforcuar dhe mbrojtur. Kjo është një zgjedhje e detyruar, sepse uji i Gjirit është i cekët dhe kjo tokë është një nga pak vendet ku supertankerat mund të operojnë.

Sipas raportimeve të Axios, administrata e Donald Trump po shqyrton mundësinë nëse forcat speciale amerikane mund të marrin nën kontroll ose të neutralizojnë ishullin, si pjesë e strategjisë për të ushtruar presion ndaj Teheranit gjatë luftës në vazhdim.

Ekonomia iraniane mbështetet fort te të ardhurat nga nafta dhe pikërisht Kharg është nyja përmes së cilës kalon shumica e këtyre të ardhurave. Për këtë arsye, analistët shpesh e përshkruajnë ishullin si “pikën e vetme kritike të dobësisë” të sistemit energjetik iranian. Terminali i Kharg përpunon disa herë më shumë naftë sesa të gjitha terminalet e tjera të eksportit të vendit së bashku.

Kjo dobësi njihet prej dekadash. Gjatë luftës Iran-Irak në vitet ’80, avionët irakianë bombarduan vazhdimisht ishullin Kharg në përpjekje për të paralizuar ekonominë iraniane.

2 vjet më parë, edhe Izraeli ka konsideruar sulme intensive, por deri tani goditjet kanë përfshirë impiante të tjera, duke lënë tubacionet e Kharg të paprekura.

Edhe pse sulmet shkaktuan dëme të konsiderueshme, terminali nuk u mbyll kurrë plotësisht.

Linja jetike e naftës së Iranit

Rëndësia e Kharg lidhet edhe me pozicionin e tij gjeografik. Shumica e fushave të naftës së Iranit ndodhen në jugperëndim të vendit dhe në pjesën veriore të Gjirit Persik. Nafta transportohet përmes tubacioneve drejt rezervuarëve dhe pikave të ngarkimit në ishull, ku cisternat gjigante mund të ankorohen në det të hapur për të marrë ngarkesën.

Kapaciteti i terminalit është shumë i madh: infrastruktura e ngarkimit mund të përballojë njëkohësisht disa supercisterna dhe të eksportojë disa miliona fuçi naftë në ditë. Për këtë arsye, Kharg konsiderohet nyja kryesore e eksporteve energjetike të Iranit.

Në rajon ndodhen edhe ishujt strategjikë Greater Tunb dhe Lesser Tunb, që mbikëqyrin rrugët detare të cisternave që hyjnë dhe dalin nga Gjiri Persik. Nga këto pozicione, forcat iraniane mund të kërcënojnë anijet me raketa, dronë dhe mjete të shpejta sulmi.

Neutralizimi i këtyre pikave do të mund të mbronte trafikun e cisternave dhe të ulte presionin mbi çmimet e energjisë. Por një goditje ndaj Kharg do të prekte drejtpërdrejt burimin kryesor të financimit të qeverisë iraniane.

Një lëvizje me rrezik të madh

Ideja për të kontrolluar burimin kryesor ekonomik të një shteti prodhues nafte ka precedent.

Më herët këtë vit, pasi forcat amerikane kapën presidentin venezuelian Nicolás Maduro, Washingtoni mori kontrollin mbi tregtinë e naftës së vendit duke interceptuar dhe ridrejtuar cisternat, duke lejuar eksportet vetëm drejt blerësve të miratuar.

Megjithatë, Kharg përfaqëson një objektiv shumë më të rëndësishëm, pasi Irani eksporton shumë më tepër naftë dhe kontrollon rrugë detare strategjike. Marrja nën kontroll e terminalit të eksportit mund të jetë më e lehtë sesa ndalimi i çdo cisternë që largohet prej tij, por një veprim i tillë do të ishte edhe shumë më përshkallëzues.

Një sulm apo pushtim i ishullit do të godiste drejtpërdrejt Iranit dhe mund të provokonte kundërpërgjigje ndaj infrastrukturës energjetike në Gjirin Persik, ndaj rrugëve detare apo objekteve energjetike në rajon.

Çdo ndërprerje e operacioneve në këtë ishull mund të rriste ndjeshëm çmimet globale të naftës.

Për momentin, ishulli vazhdon të funksionojë normalisht. Sipas të dhënave të trafikut detar, cisternat kanë vazhduar të ngarkojnë naftë në ditët e fundit, edhe pse tensionet në rajon janë rritur. Por nëse Washingtoni vendos ta godasë, Kharg mund të shndërrohet nga linja jetike e naftës së Iranit në fushëbetejën kryesore të luftës ekonomike që po zhvillohet në Gjirin Persik.

5 mijë ushtarë gati, por Trump pret

Sipas raportimeve të fundit, Donald Trump ka mbajtur një qëndrim të ndërlikuar dhe të pasigurt për ishullin Kharg: ai ka përjashtuar për momentin një sulm të drejtpërdrejtë të forcave amerikane në Iran, por ka lënë të hapura të gjitha opsionet, duke krijuar një strategji të dyshimtë pritjeje dhe presioni.

Shtabi i 82-tës Divizionit Aerotransportues në Fort Bragg, me rreth 5 mijë ushtarë gati për mobilizim në pak orë, ka anuluar papritur pjesëmarrjen në stërvitje në Louisiana, një lëvizje që tregon gatishmërinë e forcave speciale, edhe pse nuk është saktësuar nëse do të përdoren për Kharg apo për detyra të tjera.

Sulmi, megjithatë, ka rreziqe të mëdha: Garda Revolucionbare mund të hakmerret duke sulmuar impiante saudite dhe të vendeve të tjera të Gjirit, duke përkeqësuar tronditjen e tregut të naftës.

Mesazhi iranian është i qartë: nëse ne nuk mund të shesim naftën, as ju nuk do të mundeni!



Skip to toolbar