Tre persona janë arrestuar nga policia në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “ROMANO 2017″, pjesë e të cilit ishin policia e Durrësit, FNSH, në koordinim mes Interpol Tirana dhe Interforcës italiane në Shqipëri, të cilët bënë të mundur arrestimin me qëllim ekstradimi të 3 shtetasve që kërkoheshin nga drejtësia italiane, për veprën penale të trafikut të drogës.
Operacioni u zhvillua në të njëjtën kohë në Durrës dhe në Itali.
Gjatë operacionit janë ekzekutuar 18 masa sigurie dhe për njërin është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur arrestimi i shtetasve: F. M., 30 vjeç, banues në Xhafzotaj Durrës; D. Ç., 27 vjeç, banues në Gjepalaj Durrës dhe L. B. 41 vjeç, banues në Xhafzotaj Durrës.
Këta shtetas janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Bergamos, Itali, i ka denuar për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, për 16 shtetas shqiptarë, italianë dhe marokenë.
Operacioni është zhvilluar në të njëjtën kohë edhe në Itali, ku si rezultat në Itali janë kapur dhe arrestuar 12 shtetas shqiptarë, italianë e marokenë, si dhe janë ekzekutuar edhe tri masa sigurie, dy prej të cilave “Detyrim paraqitjeje” dhe një “Arrest në shtëpi”.
Ndërsa një shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi nuk u gjet në banesë gjatë kontrollit të ushtruar nga FNSH-ja në Durrës.
Hetimi për këtë grup kriminal ka nisur në vitin 2017, pasi dyshohet se ky grup kryente trafikim të lëndëve narkotike nga vende të ndryshme drejt Italisë.