Izraeli vrau Khamenein me raketa nga hapësira/ Sulmi me precizion kirurgjikal në zemër të Iranit

BOTA


Eliminimi i liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, konsiderohet një operacion me precision të madh, i cili tregoi fuqinë e teknologjisë moderne.

Sipas raportimeve, gjeneralët izraelitë, në kushte të plota sekreti dhe duke përdorur një taktikë të zgjuar çorientimi, arritën të zbatojnë një operacion eliminimi që tashmë po konsiderohet si një rast studimi në historinë e strategjisë ushtarake.

“Truku” i Izraelit
Sipas një raporti të publikuar nga media britanike Daily Mail, operacioni nisi me një strategji të thjeshtë, por shumë të zgjuar, të krijohej përshtypja se komandantët izraelitë do të largoheshin nga detyrat e tyre për fundjavën.

Madje Izraeli publikoi edhe imazhe dhe njoftime që tregonin gjeneralët duke u kthyer në shtëpitë e tyre për darkën tradicionale të Shabatit. Ky veprim kishte për qëllim të mashtronte udhëheqjen iraniane, duke i bërë të besonin se Izraeli nuk po planifikonte asnjë veprim ushtarak.

Megjithatë, ndërsa dukej se drejtuesit izraelitë po “pushonin”, gjeneralët u rikthyen fshehurazi dhe, të maskuar në mënyrën e duhur, përgatitën sulmin final. Të shtunën në mëngjes, pilotët izraelitë u ngritën nga bazat e tyre dhe pas rreth dy orësh fluturim arritën në pozicionet e tyre mbi Teheran.

Teknologjia dhe goditja e befasishme

Sipas të njëjtit raport, avionët luftarakë izraelitë lëshuan një breshëri prej rreth 30 raketash, mes tyre edhe raketa shumë të avancuara Blue Sparrow, të cilat ngjiten deri në skajet e hapësirës përpara se të godasin objektivin e tyre.

Në këtë mënyrë, goditja arriti në zemër të Teheranit dhe shënjestroi kompleksin ku ndodhej Khamenei.

Këto raketa janë zhvilluar për të kapërcyer edhe sistemet më të avancuara të mbrojtjes ajrore. Ato kanë aftësinë të arrijnë lartësi shumë të mëdha dhe më pas të rikthehen në atmosferë, gjë që i bën jashtëzakonisht të vështira për t’u neutralizuar nga mbrojtja e kundërshtarit.

Strategjia që kombinoi manovrën e çorientimit gjatë Shabatit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar ushtarake i lejoi Izraelit të kryejë një sulm që, sipas raportimeve, e kapi plotësisht në befasi udhëheqjen iraniane.



Skip to toolbar