Në përvjetorin e 9 të 21 janarit 2011, ku u vranë 4 protestues në bulevardin e Tiranës nga Garda e Republikës, zëvendëskryeministri Erion Braçe vijon të kërkojë drejtësinë e munguar për dy nga përgjegjësit që ai i cilëson kryesorë të kësaj tragjedie, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha. Braçe thotë se Berisha e ka pranuar me zë dhe figurë se urdhëroi pushkatimet dhe asnjë kryeprokurorë gjatë këtyre 9 viteve nuk e hetoi. Braçe e cilësoi ngjarjen e pazbardhur nga drejtësia si torturën më të rëndë për familjarët e viktimave si dhe një torturë personale edhe për të në këto 6 vite pushtet të socialistëve.
Braçe thekson se drejtësia nuk mund të mjaftohet vetëm më shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që dhanë vendimet për të shfajësuar ata që qëlluan mbi protestuesit, por të vihen para përgjegjësisë edhe urdhëruesit.
“Në 21 janar 2011, katër qytetarë të zakonshëm, pjesëmarrës në një demonstratë të opozitës së kohës, të pa armatosur e paqësore, u pushkatuan në mes të bulevardit Dëshmorët e Kombit; Mbi 12 të tjerë u plagosën me të njëjtat armë zjarri, për fat edhe sot në jetë!
Sistemi kriminal gjyqësor i emëruar e nën sundimin e Sali Berishës edhe sot, bëri që: Pushkatimet e Ziver Veizit, Hekuran Dedes, Faik Myrtajt, t’i cilësojë “vrasje nga pakujdesia”!; Pushkatimin e Aleks Nikes, ta shpallë edhe pas 9 vitesh “vrasje pa autor”!
Sali Berisha i ka dalë për zot pushkatimeve; Me zë e me figurë, fill pas dëshmisë televizive të pushkatimeve në mes të ditës e në mes të bulevardit, ai tha troç se i kishte urdhëruar vetë! Asnjë prokuror nuk e hetoi ne cilësinë e kryeministrit që ka urdhëruar pushkatimet;
Katër prokurore të përgjithshëm janë ndërruar ne 9 vite, Sali Berisha vijon të marrë përsipër pushkatimet dhe, asnjë nuk guxoi dhe nuk guxon as tani, ta vërë nën hetim për krimin e rëndë. As atë tjetrin, ish ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, i cili kishte nën komandë pushkatarët e Gardës së qeverisë.
Këta që emëronin prokurorët e gjykatësit e kishin në xhep imunitetin, por kriminalisht i dhanë imunitet, shpëtuan, nxorën nga burgu dhe sot janë të lire, dy pushkatarët plumbat e të cilëve, qitur nga armët e qeverisë, u gjetën në trupat e pa jetë të Hekuran Dedës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt. Edhe Aleks Nika nga ata është pushkatuar. Padrejtësi më të madhe se kjo, në këtë vend nuk ka! Kjo padrejtësi rrënon, themelet e shtetit, bën të pavlerë çdo akt rutine drejtësie!
Në 9 vite e gjysëm, kjo padrejtësi është tortura më e rëndë për familjarët e tyre; Në 6 vite e gjysëm në pushtet, torturë është edhe për mua. Çdo 21 janar, me turp e kokëulur shkruaj rradhë si këto, një akt pafuqie që nuk shtyn për drejtësi, nuk bën drejtësi.
Reforma në Drejtësi, ka nxjerrë jashtë nga sistemi 8 gjyqtarë të vegjël e të lartë, të cilët dhanë vendimet kriminale e shfajësuan pushkatarët e 21 janarit. Por kjo nuk është drejtësi! Drejtësi është hetimi i plotë, gjithëpërfshirës i gjithë zinxhirit të krimit, nga urdhri e urdhërdhënësi deri tek pushkatarët e pushkatimi” shkruan ndër të tjera Braçe