Jeni turq, vrasës! Gazetarët shqiptarë nuk lejohen në ceremoninë e Kacifas

AKTUALITET


Gazetarët shqiptarë nuk janë lejuar të filmojnë në ceremoninë përkujtimore të ekstremistit grek Kostandinos Kacifas në Bularat të Gjirokastrës. Momente tensioni janë regjistruar mes banorëve të zonës dhe gazetarëve. Një prej shtetasve të minoritetit grek është përplasur me gazetarët duke i bërtitur dhe duke i sharë dhe i ka kërkuar të largohen.

“Ça do bëni këtu? Ikni, qërohuni!”, bërtet personi në shqip. Më pas flet në greqisht, kryesisht drejtuar mediave greke. “Jeni turq, vrasës”, u ka thënë gazetarëve një prej personave që ndodhej në Bularat për të nderuar Kacifas.

Në Bularat për të marrë pjesë në ceremoni ka mbërritur edhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule por nuk ka pranuar të flasë për mediat.

Pavarësisht këtij episodi, deri tani nuk janë shënuar incidente të tjera. Në fshat nuk ka forca të policisë shqiptare, ndoshta për të shmangur provokimet dhe përplasjet. Ndërsa një postbllok është vendosur në Jorgucat për të kontrolluar mjetet që hyjnë. Për të marrë pjesë në ceremoni kanë ardhur nga Greqia rreth 1800 persona, 500 prej të cilëve vetëm mëngjesin e së shtunës.



Skip to toolbar