“Jo-ja greke” në Bularat, të pranishëm në festë zyrtarë të lartë të Greqisë

AKTUALITET


Në Bularat të Dropullit është zhvilluar ceremonia e përvitshme përkujtimore në nder të festës kombëtare të Greqisë, e njohur si Jo-ja greke (to megalo oxi, lexohet me q). Festimet që përfshijnë të gjithë Greqinë, zhvendosen çdo vit edhe në Shqipëri, ku humbën jetën një numër i madh ushtarësh grekë gjatë luftimeve me forcat fashiste italiane.

Në ceremoninë që nisi në Këlcyrë dhe me pas u zhvendos në varrezat e Bularatit, morën pjesë të afërm të të rënëve, përfaqësues të lartë të të dyja shteteve. Shteti grek përfaqësohej në këtë ceremoni nga zv/ministri i jashtëm grek Andreas katsanjotis, ambasadorja Sofia Filipidhu dhe Konsulli grek në Gjirokastër, ndërsa shteti shqiptar përfaqësohej nga prefekti i Gjirokastrës Odise Kote, kryetarja e qarkut Lindita Rova dhe kryet i bashkisë Dropull Dhimiter Toli.

Në ceremoni nuk munguan as familjarët e Konstandino Kacifas, i vrarë tre vite më parë në një përplasje me forcat RENEA, pikërisht gjatë zhvillimit të festimeve të kësaj feste.

Gjatë fundjavës, familjarët kryen ceremoninë përkujtimore të 35-vjeçarit në një organizim të ngushtë dhe pa një pjesëmarrje të gjerë. Ngjarja e tre viteve më parë mori përmasa të gjera politike, ndërsa edhe sot pas tre vitesh shumë prej banorëve të Dropullit e konsiderojnë Konstandino Kacifen një hero.

Policia e Gjirokastrës kishte përforcuar përgjatë ditës së sotme, masat në kufi dhe përgjatë aksit Jorgucat – Kakavijë për të parandaluar çdo incident të mundshëm. Të dhënat nga policia kufitare tregojnë se nuk ka pasur regjistrime per shtim të fluksit të të ardhurve nga Greqia me qëllim pjesëmarrjen në ceremoninë e sotme.
Ceremonia e përvitshme organizohet çdo 28 tetor për të përkujtuar ditën kur kryeministri i kohës, Joanis Metaksas, i tha “Jo” ultimatumit të Italisë për të hyrë pa rezistencë në tokën greke nëpërmjet kufirit shqiptar.



Skip to toolbar