Joe Biden: Perëndimi, në unanimitet për kundër-përgjigjen ndaj Rusisë

BOTA


Presidenti amerikan Joe Biden tha se mes SHBA dhe partnerëve europianë ka unanimitet të plotë mbi përgjigjen që duhet të japin për mobilizimin e trupave ruse në kufi me Ukrainën. Deklarata duket se hedh poshtë një frazë shumë të kontestuar të Biden disa ditë më parë, kur pranoi se mes anëtarëve të NATO-s nuk kishte dakordësi për mënyrën sesi do të kundërpërgjigjen.

Krerët e disa shteteve perëndimore organizuan një takim virtual të hënën, për të ravijëzuar një strategji të përbashkët kundër veprimeve të Rusisë. Në takimin e realizuar me videokonferencë morën pjesë SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Polonia dhe një përfaqësues i Bashkimit Europian, si dhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Mbretëria e Bashkuar paralajmëroi se Rusia do të përballet me sanksione të paprecedenta nëse futet brenda territorit të Ukrainës. “Takimi ishte, shumë, shumë, shumë i mirë, gjetëm unanimitet të plotë me të gjithë udhëheqësit europianë”, tha Biden më pas.

Deri tani, Perëndimi është zotuar vetëm për sanksione ndaj Rusisë, dhe jo kundërpërgjigje ushtarake në terren. Megjithatë, të hënën Pentagoni tha se ka mobilizuar në gatishmëri rreth 8500 trupa. Por ato do të dërgohen në zonën e konfliktit të mundshëm vetëm nëse NATO vendos të aktivizojë mekanizmin e reagimit të shpejtë, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Shumë shtete kanë dërguar ose po planifikojnë të dërgojë armatime në Ukrainë, për ta ndihmuar në rast të një përballjeje ushtarake.



Skip to toolbar