Kadilli: Opozita e re – fanatikët e Berishës dhe oportunistët e Bashës

Më të fundit


Unë nuk e mbështes dorëheqjen si instrument kur njeriu nuk ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë, por i mirëkuptoj arsyet që kanë shtyrë Markun. Reflektimi i Markut është reflektimi, në fakt, i munguar i Bashës. Do të duhej që Basha, që në garën për kryetar partie, të kishte reflektuar mbi shkaqet dhe arsyet pse gjërat nuk shkojnë mirë në PD. Të kishte reflektuar dhe shpallur si kjo parti do të krijojë pozitën e re. Përkundrazi, heshtje!

Reflektimi i Markut ekspozon një krizë të fortë besimi që ekziston në PD, ekspozon demoralizimin e demokratëve për mungesën e lidershipit. Nuk është normale që dhe Marku, që u afrua me bujë si një prurje nga jeta më shumë publike sesa politike, pa kaluar disa muaj nga angazhimi, largohet sepse në PD mungon komunikimi politik, mungon bashkëbisedimi dhe bashkëpunimi, mungon partneriteti politik.


Kjo nuk gëzon askënd. As ata që quhen kundërshtarë të kryetarit. Kjo është një zile alarmi për të gjithë demokratët. Sot, situata në PD kërkon që secili prej nesh t’i dalë zot PD-së, të mos presë nga lidershipi. Unë e refuzoj me forcë kulturën që të presim nga kryetari, të presim nga lidershipi. Secili mund të bëjë gjënë e tij, secili mund të marrë vendimin e tij, secili mund të shpallë qëndrimin e tij fort dhe me zë të plotë, që kemi për një opozitë të re, larg Berishës, larg Bashës.

Që nga gara për kryetar e në vazhdim kam shpallur me këmbëngulje bindjen se opozita nuk është ekskluzivitet i askujt. Parimet dhe sfidat që kam formuluar në Manifestin për Ringritjen e PD-së nuk janë literaturë politike, por aksione politike konkrete.

Një opozitë e re duhet të ngrihet si bartëse dhe promovuese e interesit qytetar. Për këtë bëhet jetike që çdokush të kontribuojë të kthejmë në politikë opozitën. Si e rikthejmë? Duke rishkruar edhe një herë raportet e institucioneve, duke ribërë edhe një herë institucionet mbi të cilat luhet politikë. Është e domosdoshme që ne të shpallim pa ekuivok si PD dhe është sfida jonë e parë, që të mbështesim Reformën në Drejtësi.

Për të gjithë demokratët që mendojnë se drejtësia është e kapur, shtroj pyetjen: Ku do ta luftojnë korrupsionin? Nga foltorja e PD-së? Ku do ta luftojnë krimin? Me statuse në “Facebook” apo duke provuar përditë me prova, jo me deklarata politike, para SPAK-ut, para BKH-së, çdo shkelje që ne arrijmë të kapim? Të mos përdoret lufta kundër korrupsionit si luftë politike, si retorikë dhe akuzë politike, por të përdoret realisht për të pastruar politikën.

Sfida e dytë e rëndësishme: një Kod i ri Zgjedhor që t’i heqë monopolin kryetarit të partisë dhe t’u garantojë edhe garuesve të drejtat e tyre, por edhe votuesve se ai që voton duhet të zgjedhë se kush është deputeti, jo kryetari i partisë. Sfida e tretë: ne duhet të kemi, në mënyrë absolute dhe të qartë, një rishikim dhe balancim të Kushtetutës sonë. Kemi një Kushtetutë ku nuk merr vesh se ç’ndodh. Parlamenti hipën sipër Presidentit, Ekzekutivi prodhohet nga Legjislativi, por në fakt prodhohet nga partia edhe Legjislativi, edhe Ekzekutivi.

Ne duhet ta rikonceptojmë Kushtetutën tonë. Ne duhet t’i kthejmë sovranitetin qytetarit. Të bëjmë një ligj të ri për referendumet, që të ketë referendume reale, që shqiptari të mësohet të votojë dhe të marrë përgjegjësi për votën e vet. Të dijë të sillet si opozitar konkurrues dhe të dijë të sillet i shumicë e përgjegjshme. Dhe vetëm referendumi është instrumenti që e fuqizon pjesëmarrjen e qytetarit dhe e bën demokracinë realitet.

E pesta ndarja e re territoriale. Në Manifest e kisha vënë të parën sepse këtu ka filluar bojkoti absurd që ne i kemi bërë politikës, duke mos marrë pjesë në reformë dhe duke lënë që ndarja territoriale administrative të përputhet me strategjitë elektorale të PS-së dhe në atë kohë edhe të LSI-së dhe të PDIU-së, që sot i kemi ne aleate. Këto janë sfidat që i përkasin një opozite: mbështetja për Reformën në Drejtësi, një Kod i ri Zgjedhor, balancimi i Kushtetutës, referendumet dhe ndarje e re territoriale administrative.

Këto janë 5 sfidat që nuk i takojnë vetëm PD-së, por çdo qytetari. Unë ia kam paraqitur PD-së, ua kam paraqitur demokratëve, por sot ato e kapërcejnë kufirin e PD-së. Çdo opozitar mund të bëjë opozitë. Asnjëherë nuk është vonë. Gjithkush është i ftuar që t’i bashkohet kësaj filozofie. Opozita e re duhet të ndërtohet mbi një filozofi të re dhe kjo filozofi e re e shkëput nga tradita jonë e derisotme që thjesht merremi me kundërshtarin, denigrojmë kundërshtarin, fanatizohemi duke adhuruar liderin. Dhe kjo çfarë bën? Na radikalizon dhe na zvogëlon krejtësisht. Ndërkohë ne duhet të jemi një lëvizje popullore dhe që të jesh një lëvizje popullore, duhet të jesh një parti që je ftuese për këdo që e shikon veten në opozitë, për këdo që kundërshton këtë qeveri. Si mund të jesh ftues kur radikalizohesh dhe fanatizohesh pas Berishës? Si mund të jesh ftues kur bëhesh oportunist ndaj Bashës, duke shpresuar që të të hedhë kockën e radhës në Këshillin Kombëtar? Ndaj sot, çdo demokrat ka përgjegjësi për atë që po i ndodh PD-së. Dhe nuk është vetëm Lulzim Basha përgjegjës. Çdo anëtar kryesie, çdo deputet që do të marrë nesër mandatin në Parlament, është përgjegjës përballë të gjithë demokratëve që votuan, për t’i dhënë zgjidhje, për t’i bërë opozitë konkurruese, jo thjesht kundërshtues, jo thjesht refuzues. E përsëris, nuk luftohet korrupsioni me deklarata, as krimi. Luftohet me akt konkret. E sfidoj edhe njëherë oportunizmin e të gjithë kolegëve të mi, që duhet të flasin dhe të marrin përgjegjësi. Sfidoj çdo fanatik që ta çlirojë PD-në, nuk mund të drejtohemi ne nga fanatikët dhe nuk mund të ecim përpara ne duke u sjellë si oportunistë brenda forumeve të PD-së. PD-ja duhet të çlirohet nga fanatikët dhe nga oportunizmi.

Sot ne duhet t’u propozojmë demokratëve një hap tjetër, t’i propozojmë shoqërisë shqiptare, kujtdo që është në opozitë t’i propozojmë platformën, ndaj unë kam dalë me manifestin për ringritjen e PD-së dhe të opozitës, ndaj sot dal me 5 sfidat që rikthejnë opozitën. Nuk më intereson Basha, nuk më intereson Berisha. Më intereson t’u përgjigjem atyre 600.000 shqiptarëve që edhe në këto kushte votuan opozitën sepse janë opozitarë. Ata duan përgjigje.

Të propozosh, të jesh konkurrues në opozitë, duhet të vish me platformë konkrete. Manifesti është një instrument që i takon jo vetëm PD-së por çdo njeriu që është në opozitë. Si autor i manifestit, kam konsultuar këdo, brenda dhe jashtë PD-së që kjo parti të jetë vibrante, të jetë e gjallë, të jetë e tillë që merr përgjegjësitë, jo për t’u bërë thjesht një alternativë simetrie pushteti meqë ka pushtet, ka edhe opozitë.

Kjo nuk mund të bëhet nga një PD e kompleksuar dhe as e izoluar. Mjafton kriza me amerikanët si provë. Deri tani nuk ka pasur një qëndrim të qartë dhe ky është një nga dëmet më të mëdha që Basha bashkë me Berishën i ka shkaktuar PD-së në këtë çast. Nuk mund të ndodhë që nuk flet kryetari i partisë dhe flet ish-kryetari për qëndrimin që duhet mbajtur ekzakt në çështjen më të rëndësishme, në raportet tona me partneritetin strategjik, me amerikanët, të cilët kanë pjesën e rëndësishme edhe në themelimin dhe në promovimin e PD-së që në ditën zero të saj. Nuk mund të heshtë Basha, nuk mund ta lërë t’i nxjerrë gështenjat me duart e të tjerëve, të atyre që flasin, si unë apo ndonjë tjetër. Nuk mundet që ne të mbetemi pa zërin e kryetarit në përplasjen më të madhe që ne kemi me amerikanët. Çfarë është ky kryetar që nuk flet, dhe flet ish-kryetari? Atëherë pse përpiqet të sillet si kryetar? Pse habitet kur nuk e besojnë për lider? Pse habitet kur partia nuk i referohet atij, por shkon troket te zyra private e zotit Berisha? Si ka mundësi që në 8 vite nuk prodhoi dot një PD tjetër, me një fytyrë të re, por ne shohim përsëri se si zoti Berisha na imponon modelin e tij edhe pas 30 vitesh në parti, një model i përdorur, me sukseset dhe dështimet e veta, por tashmë i kapërcyer, krejtësisht i kapërcyer.

Çështja e Berishës është sot një kosto morale. Penguese për të bërë një opozitë të re. Edhe sikur të mos ishte ngërçi në raportin me amerikanët, zoti Berisha nuk duhej të ishte më me ndikimin e tij në politikë, që nga 2013-a. Nuk e largoi dot veten, nuk e largoi dot PD-ja si model dhe vijnë e largojnë amerikanët. Kjo s’është korrekte për ne, është dëm për ne si PD. Që këtu ne kemi humbur besimin dhe moralitetin. Mbi çfarë morali, me standard të dyfishtë do të garojmë? Ne duhet të kemi vetëm një standard, të jemi të ndershëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit vetëm me një standard. Atë që kërkojmë për kundërshtarin duhet ta respektojmë për vete, ndryshe jemi njëlloj, presim radhën të na bjerë si molla në kokë pushteti. Nuk bie nga graviteti pushteti, nuk është si turnet e punës, që mbaron 8 orë njëri pastaj vjen 8 orë tjetri. Ne duhet të përpiqemi që të jemi konkurrues dhe konkurrues nuk bëhemi vetëm me retorikë radikale, përkundrazi zvogëlohemi, fanatizohemi, bëhemi të bezdisshëm për shoqërinë. Neve na duhet të jemi propozues, konkurrues, të kemi ide, të jemi ftues, të bashkojmë edhe ato që duken të pabashkueshme për të bërë një opozitë sa më të gjerë, se nuk është e thënë që të gjithë të mendojnë si unë apo si dikush tjetër, por ne të jemi të zotët të bashkëjetojmë kur kemi një objektiv të përbashkët, kur duam të largojmë një sundim që shohim që është sundimi i Edi Ramës ku bashkohet një politikë e korruptuar dhe e kriminalizuar, me një biznes të korruptuar dhe të kriminalizuar, me të fortët në politikë.

Shumë demokratë dhe opozitarë pyesin si bëhet një opozitë e re kur lidershipi i sotëm mungon, dhe më keq, i djeshmi pengon. Po, kjo bëhet nga ata që vetëpërcaktohen në opozitë. Çdokush di të bëjë opozitë. Unë kam propozuar në manifestim tim, në pjesën e strukturimit, krijimin e strukturave fleksibël dhe kam ftuar çdo demokrat: bëj partinë tënde, bëj seksionin tënd, bëj organizimin, forumin tënd! Dhe kjo duhet bërë. Çdo demokrat që thotë si bëhet, të mësojë se si bëhet, të punojë, të jetë aktiv, vetëveprues!




Skip to toolbar