Kryeministri Edi Rama po zhvillon një konferencë me kryediplomaten e BE, Kaja Kallas, e cila ndodhet në Tiranë. Kreu i qeverisë theksoi edhe njëherë ambicien për të mbyllur negociatat për vendin tonë deri në vitin 2027. Po ashtu, Rama tha se Shqipëria është 100% në të njëjtën linjë me politikën e jashtme të BE.
Rama: Është kënaqësi e posaçme që të kemi sot në Tiranë në këtë vizitë të parë në vendin tonë përfaqësuesen e lartë të BE Kaja Kallas. Më vjen mirë që më në fund e mbajte fjalën, ma kishe dhënë më parë si përfaqësuese e lartë e vendit tënd, por edhe si përfaqësuese e vendeve tona. Kemi pasur një takim shumë pozitiv, mes nesh dhe BE nuk ka asnjë problem të hapur, përkundrazi kemi një linjëzim të plotë në të gjitha aspektet, gjë që shprehet mësë miri edhe në politikën e jashtme të Shqipëruarës që është në një linjë me politikën e jashtme të BE.
Kemi folur për sfidën e anëtarësimit të BE, për kalendarin e dakordësuar për mbylljen e negociatave brenda 2027. Kemi folur për problematikat në rajon në një moment kur ne e kemi të domosdoshme unitetin dhe stabilitetin e rajonit, ku të gjitha vendet kanë synim të shpallur anëtarësimin në BE. Ky destinacion është pikë referimi për të kuptuar edhe politikën e ditës dhe hapat që duhet të hedhim në mënyrë që jo vetëm ne të anëtarësohemi po ri gjithë rajoni të bëhet pjesë e familjes evropiane.Kemi prekur edhe cështjen e bashkëpunimit strategjik në fushën e sigurisë. Siguria është temë qendrore në jetën e përditshme dhe në politikën e BE. Sikundër e kam ndarë edhe pak më parë, dua ta përsëris që në një anketë të bërë në BE për popullaritetin e BE rezulton se që nga 1983 mbështetja e BE nga popujt që e përbëjnë është më e larta ndonjëherë, gjë që nuk ndodhte më parë. Kjo sepse popujt e Evropës e ndjejnë që lufta nuk është një film bardh e zi i të shkuarës, por është një kërcënim real ndaj të cilit Evropa duhet të shtrëngojë radhët dhe të forcohet. Pjesë e këtij angazhimi është edhe Shqipëria në përmasën e vet.