Gjykata e Tiranës pushoi të hënën akuzën për falsifikim dokumentesh për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha dhe dy zyrtarë të tjerë të PD-së, ndërsa dy socialistët Taulant Balla dhe Erion Braçe kanë reaguar të martën duke publikuar disa dokumente të Departamentit Amerikan të Drejtësisë duke thënë se këto janë prova dhe fakte të mjaftueshme për të bërë një kallëzim të ri për kreun e PD-së.
Sipas kreut të grupit parlamentar socialist, dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë provojnë se Lulzim Basha ka firmosur një kontratë, ka paguar fatura në emër të PD-së në shumën e 675 mijë dollarëve, si dhe kompania guackë Biniatta Trade do të paguajë Muzin për shërbimet e ofruara në emër të Partisë Demokratike. “Fakti është që Lulzim Basha ka përfituar një shërbim me këto para. Për një shërbim të përfituar me fonde me burime të padeklaruara, a duhet hetuar? Fakte të reja plotësojnë kushtet për një kallzim të ri!”, shkruan Taulant Balla.
Ndërsa Erion Braçe këmbëngul se Lulzim Basha është fajtor ndërsa thotë se dokumenti është firmosur si nga Nik Muzin ashtu edhe nga vetë kreu i PD-së. Braçe akuzon Prokurorët duke thënë se nuk kanë lejuar që të hetohet apo të gjykohet rreth Bashës, Ristanit e Dervishit.
“Nuk ka prova! Nuk ka prova! Lulzim Basha kërkon të fshehë imunitetin unik për të mos u gjykuar kurrë, kështu! Prova? Ja ku janë e ja bëjnë muuuu! Nuk janë letra bakalli, janë dokumenta zyrtare të depozituara në agjencinë më serioze në botë; Janë me firmë të Nik Muzin e Lulëzim Bashës. Prokurorët e gjykatësit në Tiranë nuk kanë lejuar të hetohet e gjykohet rreth tyre, zero! Kur nuk hetohet nuk ka prova, afërmendsh! Por në zyra amerikane ato janë, janë publike, në dallim nga këtu, i shohin e i marrin të gjithë. Prova thotë se Nik Muzin, njeriu nën kontratë me PD ka deklaruar zyrtarisht, me shkrim se ka marrë për llogari të PD 670 mijë dollarë! Tani, ose gënjen ai nën betim dhe përgjigjet në Amerikë për këtë, ose gënjejnë këtu Lulzim Basha e zarat e tij dhe kanë imunitet e as hetohen e as gjykohen. Provat ja bëjnë muuuuu, imuniteti ndaj drejtësisë nuk i bën të padukshme!” shkruan Braçe.
Në seancën gjyqësore të së hënës, Gjykata e Tiranës pushoi çështjen në ngarkim të kreut të PD, Lulzim Basha, për hetimet e nisura ndaj tij në lidhje me lobimin rus në SHBA. Së bashku me Lulzim Bashën, gjykata vendosi të pushojë hetimet edhe ndaj dy zyrtarëve të tjerë të Partisë Demokratike, ish-Sekretarit të Përgjithshëm Arben Ristani dhe financierit Ilir Dervishi.
Gjykata në vendimin e saj tha se nuk ekzistojnë prova për të ndjekur penalisht zyrtarët e PD-së të cilët akuzoheshin vetëm për falsifikim të formularëve me kontratat e lobimit në Shtetet e Bashkura të Amerikës për shumën 675 mijë dollarë. Ndonëse Prokuroria i nisi hetimet për akuzën e “pastrimit të parave” ndaj kreut të PD dhe dy zyrtarëve të tjerë, kjo akuzë u pezullua në përfundim të hetimeve. Tashmë pritet veprimi që do të kryejë Prokuroria, e cila ka të drejtën të ankimojë vendimin e Gjykatës.
Akuzat
Prokuroria e Tiranës nisi hetimet ndaj kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve të tjerë të kësaj partie, pas një shkrimi të revistës amerikane, Mother Jones. Ajo hidhte dyshime të forta se kompani të lidhura me shtetas rusë kishin financuar për lobimin e Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Paratë ishin përfituar nga kompania lobuese e shtetasit amerikan Nik Muzin, i cili kishte marrë tri pagesa në një shumë totale prej 675 mijë dollarësh për të lobuar në favor të Partisë Demokratike.
Një nga pagesat ishte bërë nga kompania “Biniata Trade” e regjistruar në Skoci, e krijuar si partneritet i dy kompanive të tjera. Këto kompani ishin regjistruar në Mbretërinë e Bashkuara, ndërsa aksionet e tyre zotëroheshin nga shtetas rusë. Prokuroria Deklaronte se Lulzim Basha dhe zyrtarët e partisë që ai drejton, nuk i kishin deklaruar këto pagesa. Për këtë aryse u ngrit akuza e “pastrimit të parave”, ndërsa dëshmitari kryesor ishte pikërisht Nik Muzin. Por, prokuroria pushoi akuzën e “pastrimit të parave”, pasi nuk u provua, ndërsa dëshmia e Muzin nuk arriti të merrej.
Megjithatë, Nik Muzin deklaroi se mund të dëshmonte për organet e drejtësisë shqiptare, vetëm nëse atij do t`i sigurohej se nuk do të hetohej në Shqipëri për këtë çështje. Megjithatë, dy prokurorët, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako, në kundërshti të Kolë Hysenajt, vendosën të dërgonin dosjen për gjykim, duke e rrëzuar akuzën për “pastrimin e parave”, ndërsa Basha u mor i pandehur vetëm për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”. Të hënën më 13 janar, u vendos përfundimisht edhe pushimi i çështjes për akuzën e prokurorisë, duke i shpallur të pafajshëm Lulzim Bashën, Arben Ristanin dhe Ilir Dervishin. /Realstory.al/