Policia Rrugore e Tiranës, ka nisur kontrollin
me prioritet ndaj urbanëve ku ka vënë re shkelje flagrante dhe të rrezikshme për
jetën e udhëtarëve. Policia ka ndaluar shoferin e një urbani në Tiranë i cili u
gjet i dehur, ndërkohë që i jepte autobusit me 80 pasagjerë duke kaluar me
semafor të kuq. Kjo mund të kishte shkaktuar një tragjedi në rrugë, konstaton
policia, e cila njofton se edhe në ditët në vijim do të vazhdojë me kontrollet
ndaj drejtuesve të urbanëve në Tiranë.
Përgjatë 48 orëve të fundit, rrugorët e
kryeqytetit kanë konstatuar dhe kanë kapur në flagrancës 23 shtetas, nga të
cilët 7 në gjendje të dehur, 15 të pa pajisur me leje drejtimi dhe 1 për
falsifikim të dokumenteve zyrtare.
Policia ka pezulluar 47 leje drejtimi, nga të
cilat: 16 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 22 për shpejtësi mbi normat
e lejuara që varionte nga 155km/h deri në 175 km/h, 2 për mos bindje ndaj
shenjës së ndalimit, 5 për largim nga vendi i aksidentit dhe 2 për shkelje të
tjera.
Policia rrugore gjithashtu ka proceduar me
masë administrative 287 drejtues mjetesh për mos përdorim të rripit të sigurisë
dhe sistemeve të fiksimit; 123 drejtues
motomjetesh për mos përdorim të kaskës mbrojtëse; 122 drejtues mjetesh për
përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjeteve; 42 drejtues mjetesh për mosdhënie përparësie
ndaj këmbësorëve; 57 drejtues mjetesh të pasiguruar dhe certifikuar teknikisht
si dhe 562 mjete dhe drejtues mjetesh, për ndalim pushimi dhe qëndrimi.
Policia gjithashtu referuar ankesave të qytetarëve në Komisariatin Dixhital ka vendosur 67 masa administrative, kryesisht për parkime të gabuara; si dhe 789 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.