Policia e Tiranës ka arrestuar një 36-vjeçar, i cili vidhte celularë nëpër dyqane. Zbulimi i tij është bërë nga analizimi i pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë, ndërsa dyshohet se ai ka kryer disa vjedhje të tilla në Tiranë.
Burimet policore thanë se specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin nr.2, pas analizimit të pamjeve filmike, si dhe informacioneve të marra në rrugë operative mbi vendndodhjen e personit të dyshuar si autor i vjedhjes së celularëve, kanë organizuar punën duke bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit A. A., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhje”.
Fillimisht, i dyshuari ka mohuar të ketë kryer vjedhjen, por pasi është vënë përballë pamjeve filmike, ku dukej qartë kryerja e vjedhjes, ai është vënë nën akuzë.
“Ndalimi i këtij personi u bë pasi më datë 16 korrik 2019 në orët e mbrëmjes, në rrugën “Sulejman Delvina” ka hyrë në një dyqan dhe ka vjedhur dy aparate celulare, me vlerë rreth 70.000 lekë të reja. Vijon puna hetimore, pasi dyshohet se ky shtetas ka kryer edhe vjedhje të tjera”, deklaroi policia.
