Pas rastit të Vlorës, të zbuluar të mërkurën, policia ka çuar për ndjekje penale edhe dy kryepleq të tjerë në Gjirokastër, pasi nuk kanë dhënë informacion për kultivim droge.
Drejtoria e Policisë Gjirokastër deklaroi të premten se ka referuar materialet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër në ngarkim të shtetasit Bedri Llana, banues në Memaliaj, me detyrë, kryetar i fshatit Vasjar. Procedimi i tij penal është bërë, pasi në vendin e quajtur Përroi i Vasjarit gjatë kontrollit të ushtruar nga efektive të policisë, janë gjetur dy parcela të mbjella me kanabis, por ai nuk kishte referuar asnjë informacion të tillë në polici, pavarësisht se është një nga detyrat funksionale që kanë me ndryshimet ligjore.
Po ashtu, në prokurori është dërguar edhe për kryeplakun e Bënçës, Felek Maca. Madje, bashkë me Macën, për ndjekje penale është çuar dhe Arben Gjoka, inspektor pyjor i kullotave. Këta të dy nuk kanë dhënë informacion për në vendin e quajtur “Përroi i Thellë”, në fshatin Bënçë, ku nga kontrollet e policisë u gjetën tre parcela, ku ishte kultivuar bimë narkotike kanabis.
Këta nuk janë kryepleqtë e vetëm që bien viktima të kanabisit për shkak të mosraportimit apo raportimit të rremë në organet e policisë, pasi vetëm dy ditë më herët, dy kryepleq të tjerë në zonat e Vlorës u dërguan për ndjekje penale.