Kanadaja kthen sytë nga Kina! A po e rrezikon aleancën me SHBA-të?

BOTA


Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, është nisur sot, 14 janar, drejt Kinës për një vizitë të rëndësishme që synon rivendosjen e marrëdhënieve me Pekinin dhe gjetjen e mundësive të reja ekonomike jashtë Shteteve të Bashkuara.

Kjo nuk do të jetë një detyrë e lehtë.

Kanadaja po përballet me presionin për të zgjeruar tregtinë pa dëmtuar marrëdhëniet me SHBA-të apo pa kompromentuar sigurinë kombëtare dhe angazhimet për të drejtat e njeriut.

Megjithatë, për shkak të pasigurisë së vazhdueshme rreth të ardhmes tregtare me SHBA-të, partnerin më të madh ekonomik të saj, Kanadaja po kërkon të përmirësojë marrëdhëniet e tensionuara me Kinën për të mbrojtur ekonominë.

Zyrtarë të lartë kanadezë e kanë cilësuar këtë vizitë, të parën të një kryeministri kanadez në Kinë që nga viti 2017, si “me pasoja të mëdha dhe historike” dhe pjesë të një plani “guximtar” për të dyfishuar eksportet jashtë SHBA-ve brenda 10 viteve të ardhshme. Në qendër të bisedimeve do të jenë tregtia, bujqësia dhe siguria ndërkombëtare. Ministria e Jashtme kineze deklaroi se të dy vendet kanë “interesa të përbashkëta” dhe duhet të forcojnë shkëmbimet mes njerëzve dhe bashkëpunimin kulturor.

Të enjten, 15 janar, Carney pritet të takohet me kryeministrin e Kinës, Li Qiang, si dhe me kryetarin e Komitetit të Përhershëm të Kongresit Popullor Kombëtar, Zhao Leji. Të premten është planifikuar një takim ‘kokë më kokë’ me presidentin Xi Jinping, pas takimit të tyre të mëparshëm në margjinat e samitit të APEC-ut në Korenë e Jugut vitin e kaluar.

Kjo vizitë zyrtare shënon një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të marrëdhënieve, të cilat ranë në nivelin më të ulët në vitin 2018 pas arrestimit në Vankuver të drejtoreshës së lartë të kompanisë Huawei, Meng Wanzhou, me kërkesë të SHBA-ve. Arrestimi shkaktoi zemërim në Pekin dhe u pasua nga ndalimi i dy shtetasve kanadezë në Kinë, të akuzuar për spiunazh. Të tre u liruan në vitin 2021 pas një marrëveshjeje mes Meng dhe prokurorëve amerikanë.

Së fundmi, Kina është akuzuar për ndërhyrje në politikën kanadeze, megjithëse një hetim publik arriti në përfundimin se ndikimi në zgjedhjet federale ka qenë minimal. Kina i ka mohuar vazhdimisht këto akuzaQeveria kanadeze e sheh Kinën si një fuqi globale gjithnjë e më shqetësuese që shpesh shpërfill rregullat ndërkombëtare, por pranon se madhësia dhe ndikimi i saj e bëjnë të domosdoshëm një nivel bashkëpunimi. Sipas zyrtarëve, kjo vizitë nuk ndryshon këtë qëndrim, por theksohet se ulja e varësisë ekonomike nga SHBA-të nuk është e mundur pa rritur tregtinë me Kinën.

Carney po i qaset bisedimeve duke kërkuar bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët, si energjia dhe klima, dhe duke vendosur kufij të qartë në çështje ku ka mospajtime, si mbrojtja dhe mineralet strategjike.

Një nga objektivat kryesore të Kanadasë është lehtësimi i tarifave kineze ndaj farës së kolzës, të cilat kanë dëmtuar fermerët kanadezë. Kina i vendosi këto tarifa vitin e kaluar, si kundërpërgjigje ndaj taksave kanadeze për automjetet elektrike kineze.

Për Kinën, Kanadaja është një partner i rëndësishëm tregtar, me shkëmbime që arritën rreth 118 miliardë dollarë në vitin 2024. Një marrëveshje e mundshme me Kanadanë do t’i jepte Pekinit ndikim më të madh në një vend që ndodhet pranë SHBA-ve.

Një pikë e paqartë mbetet reagimi i SHBA-ve ndaj çdo marrëveshjeje mes Kanadasë dhe Kinës. Ndërkohë, Kanadaja pritet të hyjë së shpejti në bisedime të rëndësishme për rinovimin e marrëveshjes tregtare të Amerikës së Veriut me SHBA-të dhe Meksikën.

Siç u shpreh ish-diplomati kanadez Colin Robertson, SHBA-të po e ndjekin nga afër këtë marrëdhënie, por në fund të fundit, “Kanadaja po ndjek interesat e veta kombëtare”



Skip to toolbar