Kandidat për Gjykatën Antikorrupsion, shkarkohet gjyqtari i çështjes “Dajti”

AKTUALITET


Gjyqtari i Apelit për Krime të Rënda, Idriz Mulkurti, njëherazi kandidat për Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, është shkarkuar të premten nga Komisioni i Pavarur të Kualifikimit. Mulkurti, i njohur si gjyqtari i çështjes ndaj Dritan Dajtit, i cili edhe u shantazhua në një seancë gjyqësore nga i pandehuri, është shkarkuar nga KPK për kriterin e pasurisë. Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj, relatore Valbona Sanxhaktari  dhe anëtare Genta Tafa (Bungo).

Idriz Mulkurti është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda në vitin 2004, ndërsa në vitin 2016 është promovuar në detyrë, duke u emëruar gjyqtar i Apelit për Krime të Rënda. Ai është një ndër kandidatët për Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mungesë burimesh të ligjshme për këstin 20 mijë euro të një apartamenti si dhe shkollimin e të birit në Britaninë e Madhe, ndërkohë që avokati i gjyqtarit të Apelit për Krime të Rënda kontestoi trupin gjykues dhe analizën financiare.

Bëhet fjalë për një apartament me sipërfaqe 84 m2 në Tiranë, të porositur në vitin 2006 në vlerën e 50 600 eurove, gjyqtari Mulkurti ka deklaruar si burim të krijimit; një milion lekë kursime dhe 5 milionë lekë kredi. Relatorja Sanxhaktari pohoi se subjekti ka deklaruar që pagesat për shlyrjen e vlerës së apartamentit i ka kryer në dy këste gjatë vitit 2006, ku fillimisht ka paguar 20 600 euro. Për këstin e parë, komisioni ka konstatuar se gjyqtari Mulkurti nuk ka patur mundësi kursimi të vlerës 20 600 euro dhe se nuk ka pasur burime të ligjshme të krijimit të kësaj shume. Gjithashtu, u identifikua fakti se  pasqyrimi i kursimeve në deklaratën “vetting” me ato periodike nuk përputhen.

Ndaj këtij vendimi, mund të ushtrohet  ankimim  pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.



Skip to toolbar