E nominuara e Donald Trump për ambasadore e SHBA në Shqipëri, shpalosi të martën përpara Senatit objektivat e saj. “Ruajtja e kursit të qëndrueshëm të Shqipërisë për të arritur dy përqind të investimeve të saj për NATO, zhvillimi demokratik i Shqipërisë dhe rritja e investimeve të SHBA në Shqipëri”, janë tre prioritetet kryesore të Yuri Kim, si e nominuar për ambasadore në Tiranë.
“Së pari, unë do të inkurajoja Shqipërinë të ruajë kursin e saj të qëndrueshëm për të arritur në dy përqind investimet e mbrojtjes deri në vitin 2024, në mënyrë që Shqipëria të jetë edhe më e fortë në aleancë. Prej vitit 2009 kur Shqipëria u anëtarësua në NATO, ushtarët shqiptarë kanë luftuar krah për krah me trupat amerikane. Shqipëria ka qenë gjithashtu një partner i besueshëm në Koalicionin Global për të mposhtur ISIS-in. Aksionet e Shqipërisë tregojnë se jo vetëm që vlerëson përfitimet e NATO-s, por përfshihet në përgjegjësitë e anëtarësimit”, tha Yuri Kim.
Pika e dytë e saj është zhvillimi i mëtejshëm demokratik i vendit. Në këtë pikë, Yuri Kim u ndal më gjatë, duke u shprehur se sapo të marrë detyrën, do të punojë që palët politike në Shqipëri të zgjidhin ngërçin politik. “Në mënyrë të menjëhershme, unë do të shtyja drejtuesit e Shqipërisë të zgjidhin ngërçin politik në mënyrë të tillë që të forcohet kërkesa e pranimit të Shqipërisë në BE, si dhe që Shqipëria të ketë sukses gjatë mandatit të saj si Kryesuese e Zyrës së OSBE-së gjatë vitit 2020. Aspiratat e Shqipërisë për në BE, dhe reformat që kërkohen, do të sjellin më shumë prosperitet dhe stabilitet për vendin dhe Rajonin”, tha Yuri Kim.
Më tej ajo shtoi se një tjetër pikë e punës së saj, do të jetë mbështetja për zbatimin e reformës në drejtësi. “SHBA duhet të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë të zbatojë plotësisht reformën në drejtësi. Vazhdimin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e një njësie Speciale të Pavarur Kundër Korrupsionit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Unë do të dyfishoj angazhimin për ndihmën teknike amerikane në hetim, ndjekje penale dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar mbarëkombëtar”, tha Yuri Kim.
Pika e tretë e saj lidhet me sferën ekonomike. Yuri Kim shpalosi një ide të qartë rrthe synimeve të saj, për të ndihmuar bizneset amerikane për investime në Shqipëri. “Unë do të punoj për të promovuar eksportet e SHBA dhe investimet e SHBA-ve në Shqipëri, në mënyrë që sigurojë mundësi si për amerikën por dhe për qytetarët shqiptarë, duke krijuar vende pune në vendin e tyre. Investimet e biznesit amerikan kërkojnë një klimë mikpritëse të biznesit dhe rregulla të barabarta për investitorët tanë. Në këtë drejtim, do të nënvizoja se besimi në sundimin e ligjit dhe transparenca janë thelbësore”, tha ndër të tjera Yuri Kim.
Yuri Kim tha gjithashtu se do të përpiqet që të mbajë sa më larg influencën ruse në Shqipëri, ndërsa u shpreh se do ketë kujdes edhe disa rrymave të influencës kineze. “Dua të ndihmoj shqiptarët të forcojnë institucionet e tyre që të kenë më shumë rezistencë ndaj përpjekjeve ruse për të ndërhyrë në punët e brendshme, por edhe atyre kineze. Edhe kinezët po përpiqen që të ndërhyjnë në ekonominë e Shqipërisë”, tha ajo. Që prej majit të 2018-ës, Ambasada e SHBA në Tiranë nuk ka një drejtues, pas largimit të ambasadorit Donald Lu, ndërkohë që aktualisht ambasada amerikane në Shqipëri drejtohet nga zv/ ambasadorja, e ngarkuara me punë Leyla Moses Ones. /Realstory.al/