Ligji mbi pastërtinë e figurës, i njohur si ligji i dekriminalizmit, i miratuar në fund të vitit 2015 që synonte ndalimin e kandidimit për personat me rekodre kriminale, rezulton sot një farsë. Është e vërtetë që ky ligj, i votuar me presionin e fortë nga SHBA dhe BE ka larguar nga Kuvendi dhe nga bashkitë disa persona me të shkuar kriminale, por problemi është ende shumë larg të qenit i zgjidhur. Ky ligj iu ndalon kandidimin personave që kanë pasur fatin e keq që krimet e tyre t’i kryejnë në vende ku drejtësia funksionon, por nuk ka dhe nuk mund të ketë efekt të kënaqshëm në një shtet si Shqipëria ku drejtësia ka qenë inekzistente, sidomos në lidhje me ndëshkimin e krimit apo korrupsionit të lidhur me politikën. Si rezultat ne kemi sot largimin e disa kriminelëve të vegjël që kanë vjedhur ndonjë paketë cigaresh në rininë e tyre, por problemi i kandidimit të të korruptuarve vazhdon dhe nuk duket të marrë zgjidhje me gjithë presionin pozitiv të ambasadores amerikane dhe të faktorit ndërkombëtar.
Është e vështirë të besohet se kryetarët e partive do të respektojnë parimin e moralitetit në përzgjedhjen e kandidatëve që do të përbëjnë listat zgjedhore, po të konsiderohet pesha e të korruptuarve në këto parti politike. Nëse kjo do të jetë e vështirë në partitë ku kryetari është realisht kryetar, do të jetë e pamundur në ato parti ku posti i kryetarit është dhënë me koncesion. Në këto raste kryetari de juro e ka të pamundur të përjashtojë nga lista liderin real të partisë, apo miqtë e tij të afërt.
Pra si pasojë e ligjit të dekriminalizimit ne kemi mundur të largojmë nga skena politike kriminelët e vegjël, por kemi në mes të skenës kumbarët e korrupsionit dhe krimeve të tre dekadave tranzicion.
Nuk mund të imagjinohet një situatë më paradoksale. Në ndryshim me të gjitha vendet e Europës, ne kemi një ligj dekriminalizimi, e megjithatë Sali Berisha mund të kandidojë ku të dojë.