Shqipëria plotësoi kushtet, Merkel kërkon negociatat

AKTUALITET


Kancelarja gjermane, Angela Merkel kërkoi që BE të tregohet e drejtë dhe të çelë negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi që të dy vendet kanë plotësuar të gjitha kushtet dhe ky vendim duhet të jetë prioritet i Këshillit të BE-së. Një ditë më herët në Tiranë komisioneri europian për zgjerimin Oliver Varhelyi tha se metodologjia e re për zgjerimin po negociohet me vendet skeptike si Franca dhe Holanda dhe se po punohet që negociatat të çelen para samitit të Zagrebit, pra para muajit maj.  Kancelarja gjermane zhvilloi një takim me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, vend i cili merr presidencën e radhës së BE-së. Dy politikanët diskutuan për samitin e Zagrebit.  Angela Merkel tha ndër të tjera se “është shumë e rëndësishme që të ketë përparime në çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Kancelarja gjermane u shpreh pro çeljes së negociatave me të dy vendet njëherazi, si me Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe me Shqipërinë: “Shqipëria ka plotësuar shumë kërkesa që i kishim vendosur. Sidomos procesin e Vettingut dhe tani ka ardhur koha që të çelen negociatat”, tha ajo ndër të tjera.

Merkel kujtoi po ashtu edhe se Maqedonia e Veriut e ka plotësuar kushtin që bllokonte deri tani çeljen e negociatave, arritjen e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

“Nëse duam të jemi të drejtë, atëherë ne duhet t’i trajtojmë të dy vendet së bashku, pavarësisht se ato pastaj do të ndjekin procedura të ndryshme, në bazë të vlerësimeve që do t’u bëhen”, tha kancelarja gjermane. Merkel tha se pas mosarritjes së një marrëveshjeje vitin e kaluar, tani do ta trajtojmë çështjen edhe në samitin e Këshillit të BE-së në Bruksel, qysh në muajin mars.

Vëzhgues në Berlin llogarisin se nuk do të ketë marrëveshje para samitit të Zagrebit, pra , në maj të këtij viti. Së fundmi, presidenti francez Emmanuel Macron, frenuesi kryesor i zgjerimit të BE-së, kishte dhënë sinjale zhbllokimi të qëndrimit të tij pas një takimi në Paris me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviç. Plenkoviç e përmendi në Berlin takimin e tij me Macronin, por nuk dha detaje.

Kroacia dhe më pas Gjermania kanë në dorë kryesinë e radhës së BE-së. Plenkoviç ndodhet në Berlin për të marrë pjesë në panairin e produkteve ushqimore, Java e Gjelbër, në edicionin e sivjetshëm të të cilit, Kroacia është vend partner.



Skip to toolbar