Kapen me drogë dhe armë, dy në pranga në Lezhë

AKTUALITET


Dy të rinj janë vënë në pranga nga policia e Lezhës e cila i ka kapur në flagrancë ndërsa mbanin me vetë armë dhe doza të lëndëve narkotike.

Në vijim të aksionit Policia e Lezhës ka sekuestruar drogë, armë, municione luftarake.

Në pranga ka rënë shtetasi E.H. 25 vjeç, banues në Milot – Kurbin. Ai akuzohet për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.

Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi Rr.P. 23 vjeç, banues në Milot – Kurbin për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.

Të dy personat janë ndaluar teksa ishin duke ecur me makinë.

“Shtetasit E.H. gjatë kontrollit të ushtruar kur është ndaluar me mjet iu gjetën 2 kapsolle detonatore me fitil zjarrpërcjellës si dhe gjatë kontrollit të banesës iu gjetën edhe 1 armë zjarri automatik, 115 fishekë model 56 & 54 dhe një palë dylbi. Ndërsa shtetasit Rr.P. iu gjetën disa doza lëndë narkotike gjatë kontrollit të ushtruar kur është ndaluar me mjet”, – informon policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë për veprime të mëtejshme.



Skip to toolbar