Kapiteni i jahtit i zhdukur prej ditësh, bashkëshortja: E dua në shtëpi

AKTUALITET


Mediat turke kanë zbardhur dëshminë e bashkëshortes së kapitenit turk, Sezgin Yavuz, që rezulton i zhdukur prej disa ditësh. 33-vjeçari, i punësuar si kapiten i një jahti, “Atik Bej”, pronarët e të cilit janë dy vëllezër biznesmenë në Turqi, është zhdukur prej datës 5 shtator, teksa jahti që drejtonte u gjet i braktisur dhe me motorë të ndezur 12 milje larg portit të Shëngjinit.

Bashkëshortja e kapitenit të jahtit turk, ka kërkuar ndihmën e autoriteteve shtetërore në Turqi për gjetjen e burrit të saj. “Dua burrin tim të kthehet në shtëpi. Vajza më pyet për babanë e saj, por unë nuk mund t`i them asgjë”, mësohet të jetë shprehur shtetasja Vesile Yavuz. Më tej ajo ka deklaruar se kishte patur një bisedë të fundit në 4 shtator me bashkëshortin e saj, i cili i kishte deklaruar se do të nisej drejt Greqisë.

Ajo gjithashtu ka deklaruar se bashkëshorti i saj nuk ka pasur asnjë problem shëndetësor dhe mund të notonte shumë mirë. Ndërkohë, në varkën e gjetur të braktisur 12 milje larg bregut të Shëngjinit, nuk është raportuar për asjë vjedhje. Kjo shton dyshimet rreth zhdukjes së mistershme të 33-vjeçarit Sezgin Yavuz.



Skip to toolbar