“KÇK” e Ramës, Ibrahimi: Duhet më shumë se akuza për t’i çuar në gjyq

AKTUALITET


Kryetari i Këshillit të Lartë të prokurorisë, Gent Ibrahimi ka komentuar të premten në komisionin e Ligjeve deklaratën e kryeministrit Rama, për prokurorët dhe gjyqtarët që nuk kanë kaluar ende vettingun dhe që po e shfrytëzojnë postin me parimin “kap ça të kapësh”. Duke i cilësuar këta prokurorë dhe gjyqtarë grup kriminal, kryeministri Rama kërkoi mbështetjen e parlamentit për të  marrë masa kundër tyre. Por kreu i KLP-së Ibrahimi e ka cilësuar politike këtë deklaratë të Ramës duke thënë se për këta individë do zbatohet ligji dhe thjeshtë një deklaratë nuk mjafton për t’i çuar ata në gjyq.

“Kryeministri Edi Rama bëri një akuzë të përgjithshme dhe politike, si të tillë e kemi trajtuar edhe ne. Nuk është se po bëjmë një hetimit të thelluar, por po e shohim në përgjithësi. Nuk mjafton për të bërë gjyq”,-u shpreh Ibrahimi në Komisionin e Ligjeve.

Për ngritjen e institucioneve të reja të Drejtësisë, Ibrahimi u shpreh se po pritet që të emërohen prokurorë të tjerë, pasi deri tani nga 15 prokurorët e përzgjedhur për ngritjen e SPAK vetëm 8 kanë kaluar vettingut dhe ky është një numër i pamjaftueshëm për ta ngritur këtë institucion.

 “Tani që flasim kemi 8 prokurorë që mund t’i emërojmë të cilët kanë kaluar vettingun nga 15 kandidatë. Dhe në momentin që i emërojmë SPAK fillon punën. Por, nëse i emërojmë këta 8 prokurorë në SPAK, atëherë i bie që çdo prokuror do të ketë mbingarkesa shumë të madhe”, u shpreh Ibrahimi.

Duke mos dhënë një afat të caktuar, Ibrahimi u shpreh se shumë shpejt do të jetë në funksion SPAK, ndërsa krijimi i BKH, do të marrë kohë më të gjatë.

“Shumë shpejt do të kolaudojmë në krijimin e SPAK. Procesi i krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jetë i gjatë”, -deklaroi Ibrahimi.



Skip to toolbar