Eksperti i ekonomisë, Ardian Civici thotë se Shqipëria ka zhvilluar emigracionin kulturor.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Civici u shpreh se emigrimi në vend është kthyer në mentalitet dhe psikologji të përgjithshme.
Sipas Civicit, remitancat janë 1.4 miliard euro në vit, që tregon se emigrimi i shqiptarëve jashtë vendit vazhdon.“Nisur nga këto shifra, unë kërkova vetëm për të parë si është situata në Ballkanin Perëndimor, dhe në tre vendet tipike europiane sa i përket emiogracionit, Italia, Greqia dhe Portugalia. Përgjithësisht, ajo që e dallon Shqipërinë nga këto vende, ne kemi filluar dhe kemi hyrë në atë që quhet emigracioni strukturor, një rrymë emigrimi që nuk ndalon. Po të shikosh edhe Bullgarinë, Bullgaria ka humbur këto 30 vjet, gati dy milionë banorë. Kroacia ka përqindjen e emigracionit e ka pasur më të lartë se Shqipëria, në raport me popullsinë. Shqetësuese për Shqipërinë, kemi hyrë në një trajektore që është bërë strukturore. Nëse në disa vende të Ballkanit Perëndimor thuhet se ndoshta çështja do të rregullohet, psikologjia sunduese në Shqipëri, është ik tani sa nuk është vonë. Është bërë mentalitet dhe psikologji e përgjithshme çështja e emigracionit. Ka ikje konstante të heshtur, ka disa vite që edhe Banka Botërore, edhe INSTAT, evidentojnë faktin që 70 mijë shqiptarë në vit vazhdojnë të largohen. Kjo është gjëja më shqetësuese. Arsyet janë nga më të ndryshme, që nga varfëria, mosbesimi te politika, arsimimi më i mirë. Emigrantët, pas 25 viteve, kur ndodh shkëputja e brezave, remitancat bien. Në Shqipëri, remitancat rriten. Shifrat e fundit flasin për 1.4 miliardë euro që futen në Shqipëri përmes remitancave”, theksoi ai.
