Kërcënimi diplomatik? Thirret në prokurori zëdhënësi i Metës

AKTUALITET


Pak ditë më herët, presidenti Meta njoftoi se zëdhënësi i tij Tedi Blushi ishte kërcënuar përmes një telefonate që kishte marrë nga një zyrë diplomatike në Tiranë. Për këtë ai i kërkoi zyrtarisht prokurorisë që të zbardhë kërcënimin dhe të zbardhë se nga cila ambasadë erdhi telefonata për zëdhënësin e tij.

Për këtë arsye prokuroria e Tiranës ka thirrur të hënën zëdhënësin e Presidentit të japë më shumë detaje për shantazhin.

Pas dëshmisë në prokurori zëdhënësi i Metës tha për gazetarët se ka folur me dy persona të cilët i kishin kërkuar të fshinte një qëndrim të tijin publik.

“I sqarova telefonatën. Më 21 nëntor kam pasur një telefonatë, për të cilën nuk mund të flas tani. Telefonuesit kanë qenë dy, një në gjuhën shqipe dhe një në gjuhë të huaj. Më është kërkuar të ndryshoj qëndrimin tim publik. Për të gjitha këto ia kam sqaruar organit të akuzës. Pres dhe kam besim te drejtësia”, deklaroi ndër të tjera Blushi pasi doli nga ambientet e Prokurorisë.

Më herët presidenca ka nënkuptuar se telefonata “kërcënuese” ka ardhur nga ambasada e SHBA-së për një status në facebook të bërë nga zëdhënësi i Metës, të cilit i është kërkuar që ta fshijë këtë status.



Skip to toolbar