Davide Kovaçiu, 17-vjeçari i akuzuar se u bë shkak i vetëhelmimit me pesticide të 16-vjeçares nga Berati, Adela Çaçi, ngjarje kjo e ndodhur më 5 maj të 2019-ës, është lënë i lirë pas 8 muajsh nga Gjykata e Beratit. Sipas togave të zeza, nuk ka pasur prova në celularin e 17-vjeçarit që e përfshijnë në ngjarjen e rëndë të ndodhur në muajin maj 2019.
Në atë kohë, i riu u akuzua se në telefonin e vajzës kishte mesazhe dhe thirrje të vazhdueshme nga 16-vjeçari, i cili e kërcënonte se do t’i publikonte një video kompromentuese që ai dispononte. Prindërit e vajzës kishin disi dijeni në lidhje me këto kërcënime, pasi një ditë para se të pinte lëndë helmuese, vajza u kishte treguar se ndihej e shqetësuar nga shoku i gjimnazit. Ndërkohë në polici ata nuk kishin bërë asnjë denoncim.
Pas tetë muajsh hetime, çështja penale për “shkaktimin e vetëvrasjes” në ngarkim të 17-vjeçarit Davide Kovaçi është pushuar nga Gjykata e Beratit. Kjo çështje mbërriti për kompetencë në Gjykatën e Beratit nga Gjykata e Vlorës për moskompetencë.