Kryeministri i vendit, Edi Rama theksoi se rritja e pagave përmes vendimeve gjyqësore nuk ndodh në asnjë vend të botës, duke e cilësuar këtë qasje si të papranueshme dhe jashtë çdo standardi demokratik.
Sipas tij, kërkesa e gjyqtarëve për të vendosur vetë mbi pagat përbën ndërhyrje direkte në politikën e pagave të Republikës së Shqipërisë, e cila është kompetencë ekskluzive e qeverisë dhe Kuvendit.
Rama shtoi se një praktikë e tillë do të krijonte pabarazi të thellë mes institucioneve dhe qytetarëve.
“Nuk mund ta keni këtë epërsi, sepse nuk ndodh në asnjë vend të botës. Nuk rriten pagat me gjykatë. Pse nuk shkojnë mësuesit, mjekët, infermierët të rrisin pagat? Ju thoni i rrisim vetë pagat. Kjo nuk ndodh në asnjë vend.
Ajo që kërkoni ju të impononi, është të ndërhyni në politikën e pagave në Republikën e Shqipërisë. Këtu është ndërhyrë në politikën e taksave, që janë ekskluzivitete të qeverisë dhe Parlamentit.
Ju doni të jemi republika e parë në planet, që gjykatësit të paguhen si një “kastë e vetme” atje në qiell, të tjerët të rrinë në tokë. Kjo polemikë është një polemikë e nxitur nga kjo, që po ju duhet ta ndalni po ju”, tha ai.
