Kërkesa e socialistëve për shkarkimin e presidentit Ilir Meta mbërrin në komisionin e ligjeve. Njoftimi është bërë nga vetë kreu i këtij komisioni, Ulsi Manja, në nisje të mbledhjes së të martës.
“U kam vënë në dispozicion të gjithë kolegëve të komisionit të ligjeve kërkesën. Nga ky moment komisioni ligjeve e ka futur në procedurë shqyrtimin e kërkesës së 55 deputetëve”, u shpreh Manja para deputetëve anëtarë të Komisionit të Ligjeve.
Të hënën, socialistët në mazhorancë depozituan në Kuvend kërkesën për nisjen e procedurave parlamentare për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Për socialistët Presidenti Ilir Meta, ka shkelur Kushtetutën duke cenuar ushtrimin e të drejtës së popullit për të zgjedhur.
“Me vendimin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, presidenti ka marrë atribute që nuk i takojnë në një Republikë parlamentare”, deklarohet në kërkesën për shkarkimin e tij.