Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet këtë të hënë (18 dhjetor) për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ndryshimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha në lidhje me çështjen e Privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Kujtojmë se më 12 dhjetor, SPAK kërkoi autorizimin nga Kuvendi për t’i hapur rrugën zbatimit të masës “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Berisha i cili akuzohet për korrupsion pasiv dhe se ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi në privatizimin e ish-kompleksit “Partizani” përgjatë periudhës 2005-2013 kur ishte kreu i qeverisë shqiptare.
“Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, do të zhvillohet në datën 18.12.2023, ora 12.00, në Kryesinë e Kuvendit”, thuhej në njoftimin e Kuvendit.
Vetë ish-kryeministri e ka konsideruar kërkesën dhe akuzat e SPAK, si antikushtetuese.
“Në vitin 2012 Berisha ka dërguar në Parlament aprovimin nga Kushtetuta të çdo lloj mbrojtje të deputetëve te Shqipërisë. Ky amendament I qeverisë është kundërshtuar nga Edi Rama dhe është pranuar vetëm lejimi i hetimit të deputetëve. Unë kam deklaruar se jam I gatshëm ta votoj vetë këtë ligj edhe sot dhe nuk kam asnjë kundërshtim. Nëse unë nuk kam pranuar urdhrin e gjykatës dhe SKAP-it sepse ajo është shkruarje e Kushtetutës. Kam mbrojtur parlamentin dhe pushtetin e tij dhe absolutisht jo Sali Berishën. Unë kam refuzuar pranuar të zbatoj një urdhër antikushtetues nga një gjykatës tërësisht në konflikt interesi e shkarkuar nga unë më ’96 dhe që e fsheh këtë fakt”, ka thënë Berisha.