“Kërkojmë dënime zyrtarësh”. Zbardhen debatet për Shqipërinë në Bundestag

AKTUALITET


Bundestagu miratoi të enjten, 26 shtator 2019, me propozim të dy grupeve parlamentare të koalicionit CDU/CSU dhe SPD , rezolutën për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në.

Deutsche Welle ka zbardhur disa pjesë nga debati i zhvilluar mes deputetëve gjermanë për Shqipërinë ku bie në sy kërkesa e deputetit Peter Beyer, nga CDU i cili kërkoi dënimin e zyrtarëve të korruptuar. Madje ai foli për rastin konkret të dënimit të Saimir Tahirit nga gjykata për shpërdorim detyre, duke thënë se Gjermania “nuk gënjehet” me kaq.

“Nuk gënjehemi me këto dhe kërkojmë dënime zyrtarësh të lartë”, tha Beyer, i cili vlerësoi hapat e hedhur nga opozita për uljen në tryezën e OSBE-së për reformën zgjedhore.

“Debati që u bë në Bundestag ishte deri diku i qetë. Ai u hap nga eksperti i Evropës Juglindore, Josip Juratoviç, SPD, i cili  e vuri theksin kryesisht te përparimet që kanë bërë këto vende falë perspektivës evropiane.

Ngjashëm argumentoi edhe Florian Hahn, zëdhënësi  i grupit parlamentar  CDU/CSU për  Evropën. Ai u kujtoi premtimin që u është bërë këtyre dy vendeve  për fillimin e negociatave. Hahn lavdëroi përpjekjet e tyre për reforma, por diferencoi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Duke i kujtuar Shqipërisë krizën e brendshme politike, korrupsionin, krimin e organizuar, por edhe mallin për “Shqipërinë e Madhe”, siç e quajti ai. Por Hahn diti t’i kthente këto mangësi në argumente pro çeljes së negociatave: “Çfarë të bëjmë, ta lëmë Shqipërinë vetëm?” Pyeti Hahn dhe paralajmëroi: “Do të humbim një rast historik, nëse i kthejmë shpinën Shqipërisë” tha ai duke korrur kështu duartrokitje nga kolegët e grupeve të koalicionit”, shkruan Deutsche Welle.

Mbështetësi më i zjarrtë për Shqipërinë ka qenë deputeti i grupit “Të gjelbër”, Manuel Sarrazin, i cili u shpreh i indinjuar me atë që ai e quajti “arrogancë” të Bundestagut që vendos kushte të reja, përtej atyre që ka vendosur Komisioni i BE-së. Veç të tjerash, ai kritikoi edhe ndërhyrjet e disa deputetëve në krizën e brendshme në vend, si ndërhyrje në politikën e brendshme të Shqipërisë.

Të Gjelbrit kishin parashtruar edhe një kërkesë për ta ndryshuar rezolutën. Aty kërkohej konkretisht që Gjermania të ndikojë që konferenca e pare e negociatave me Shqipërinë të hapej qysh në  fund të vitit 2019. Veç të tjerash, Të Gjelbrit kërkonin që kushtet të mbeteshin “ato të përcaktuarat nga Komisioni i BE-së, të miratuara në Këshillin Evropian për Çështje të Përgjithshme, më 26 qershor 2018.” Kërkesa e tyre u refuzua.

Kundër çeljes së negociatave me Shqipërinë votuan AfD, liberalët dhe Die Linke. Grupi parlamentar i AfD-së pati një abstenim, dhe të gjitha votat e tjera (76) kundër. Siegbert Droese, nga kjo parti, tha se “për momentin nuk ka asnjë vend të Ballkanit Perëndimor që të jetë gati për anëtarësim”. Droese e lidhi argumentin e tij me qëndrimin hezitues të presidentit francez Macron, i cili mendon që në vend të anëtarësimit t’iu ofrojë këtyre vendeve një afrim, përsa kohë që nuk është  konsoliduar Bashkimi Evropian.



Skip to toolbar