“Diskutimet nuk qenë të lehta”, u shpreh përmbledhtas Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg lidhur me takimin e 30 anëtarëve të NATO-s me përfaqësuesit e qeverisë ruse.Lidhur me gjendjen e sigurisë në Europë me theks të veçantë ndaj Ukrainës u bisedua rreth katër orë në Bruksel, por nuk pati ndryshim të qëndrimeve. „Ne kemi propozuar një seri bisedimesh, edhe për sa i përket dislokimit nga të dyja palët të raketave në Europë. Por pala ruse sot nuk ishte në gjendje të vendoste”, tha Stoltenberg. Rusia megjithatë nuk e ka refuzuar një takim tjetër, shtoi Stoltenberg. Kryenegociatori rus Aleksandr Grushko, akuzoi NATO-n, se nuk i përgjigjet ofertave për zbutjen e situatës. “NATO i përmbahet taktikës nga Lufta e Ftohtë për kufizimin e Rusisë. Një përkeqësim i mëtejshëm i situatës mund të ketë pasoja të paparashikueshme dhe serioze për sigurinë europiane”, tha zëvendësministri i Jashtëm rus Grushko pas bisedimeve në ambasadën ruse në Bruksel.
“Rusia nuk ka veto”
Aleanca i kërkon Rusisë për të disatën herë, që të tërheqë rreth 100.000 ushtarët nga kufiri me Ukrainën. Diplomatë rusë sërish parashtruan kërkesën e Kremlinit që NATO të mos pranojë më anëtarë të rinj dhe të tërheqë trupat nga vendet e reja anëtare në Lindje. Aleanca i hodhi poshtë kërkesat e Rusisë, tha Jens Stoltenberg. NATO dhe vendet aspirate për anëtarësim e vendosin vetë, se çfarë rruge duan të ndjekin. “Askush nuk duhet të ndërhyjë. Natyrisht Rusia nuk ka veto për këtë, nëse Ukraina mund të bëhet anëtare e NATO-s.” Zëvendëministrja e jashtme e SHBA, Wendy Sherman sërish theksoi, se porta e NATO-s është e hapur. Por pikërisht të kundërtën kërkon Rusia: „Ne duhet t’i japim fund politikës së portës së hapur. (…) Nëse NATO do të bashkëpunojë, duhet të pranojë rolin e Rusisë si fuqi e paqes”, kërkoi Aleksander Grushko.
Më 2008 NATO i ofroi anëtarësimin Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Por se kur kjo është çëshje e hapur. Pas këtij premtimi Rusia pushtoi pjesë të Gjeorgjisë dhe më 2014 aneksoi Krimenë ukrainase. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg kërkon nga Rusia që të heqë dorë prej qendrimit të saj duke ndezur konflikte, “Rusia ka trupa në Gjeorgji, Moldavi dhe në Ukrainë. Këto trupa ndodhen atje pa miratimin e qeverive të këtyre vendeve. Ato nuk janë ftuar dhe nuk janë të mirëpritur atje. NATO i kërkon Rusisë, që t’i tërheqë këto trupa dhe të respektojë sovranitetin dhe integritetin e Gjeorgjisë, Moldavisë dhe të Ukrainës”, tha Stoltenberg në Bruksel.
OSBE si ndërmjetësuese
Të enjten (13.01) bisedimet për sigurinë europiane vazhdojnë në kuadër të OSBE-së në Vjenë. Në OSBE janë si SHBA-ja edhe Rusia si dhe Ukraina e 53 shtete të tjera të hemisferës veriore anëtare. Që nga viti 1995, kur OSBE-ja u krijua si orgnizatë pasuese e „Konferencës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin”, ajo shërben si një platformë për bisedime mbi çarmatimin dhe çtensionimin ushtarak.