Kryeministri Edi Rama u shfaq i emocionuar, madje nuk e përmbajti dot veten, kur gazetari Sokol Balla e pyeti lidhur me përjetimin e tij si njeri situatën e krijuar nga tërmeti. Gazetari Balla kujtoi një status të ndjerë të djalit të kryeministrit, Greg Rama, ndërsa e pyeti shefin e ekzekutivit për përjetimin e tij emocional. Rama u shpreh se të gjithë njerëzit e prekur i ka si djali i tij, GRegu, ndërsa nuk mundi të fliste më shumë për shkak të gjendjes emocionale. “Unë jam në një pozitë që s`mund ta shpjegoj. Sot unë i kam këta njerëz të prekur si Gregun”, tha Rama, duke ndërprerë intervistën dhe u largua.
Ndërkohë, më herët gjatë intervistës, Kryeministri u shpreh se është bërë një punë heroike, ndërsa vlerësoi maksimalisht punën e forcave shqiptare në kërkim-shpëtimin e personave të mbetur nën rrënoja. “Nuk i ka ardhur tërmeti Shqipërisë për shkak të instutit të sizmologjik. Ato janë forca që s`mund të pengohen dhe as të përballem. Kemi apo s`kemi ne një njësi të specializuar sic kanë të huajt? Kjo nuk ka ndikuar fare për të përballuar situatën. Kjo nuk na ka ndihmuar, nga të gjithë këta këtu, ai që ka bërë punën heroike është një zjarrfikës nga Vlora. Njerëzit tanë kanë bërë heroizëm. Këta kanë bërë pjesën më të madhe të punës. Këta të huajt kanë bërë operacione tejet të rrezikshme. Këtu tërmetit i është bërë yzmeti njëlloj si në Francë dhe në çdo vend tjetër. Do të kishte qenë shumë më dramatike nëse sdo kishim të gatshme urgjencën tonë kombëtare”.
“Sot jemi në kushtet kur kemi shtëpi shumë të vjetra. Pallate silikate të kohës së komunizmit. Sot isha në një rast që ishte ndërtuar në kohën e komunizmin që i ishin gërryer themelet për bodrum. Unë s`kam asnjë problem t`i marrë të gjitha kritikat, por këtu nuk bëhet fjalë për mua. Këto situata që ne kemi këtu janë të vjetra e të trashëguara, dhe dalin në skenë në momente si ky. Njerëzit nuk pranojnë të dalin nga shtëpitë. Sot Italia ka akoma nëpër tenda familje të tërmeteve të ndodhura disa vite më parë. Me Turqinë e re moderne tërmeti vrau 30 mijë vetë. Po flas se bëhet fjalë për një agresion natyror që nuk mundet dot t`ia vëmë fajin subjektivitetit të njerëzve. Ka pasur një goditje që ka qenë shumë e fortë. Godinat e reja kanë qëndruar. Krisjet dhe plasjet janë të natyrshme”, tha Rama ndër të tjera.