Klevis Balliu në pranga për bllokim rrugësh

AKTUALITET


Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu dhe 9 protestues janë arrestuar mbrëmjen e së dielës nga policia për shkak se kanë bllokuar rrugën e Unazës së Re, duke mos lejuar qarkullimin e automjeteve në të dyja anët e saj dhe duke mos iu bindur thirrjeve të policisë për të mos shkelur ligjin i cili parashikon dënim deri në 3 vite burg.  Me ndryshimet e reja në Kodin Penal, bllokimi i rrugëve duke penguar lëvizjen e lire të automjeteve është vepër penale dhe dënohet me burg deri në tre vjet, por një gjë e tillë nuk i ka penguar banorët të bllokonin rrugën.

Gjatë protestës së të dielës, policia vuri në pranga 10 protestues ndërsa 5 të tjerë janë në procedim penal në gjendje të lirë. Ata akuzohen për veprat penale: Organizimi, pjesëmarrja, grumbullimi dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”,  “Prishje e rendit dhe qetësisë  publike, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe  “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik.

Të arrestuarit janë: Klevis Balli, 30 vjeç, Kujtim Ylli, Bajram Noka, Benard Nezha, Safet Maksuti, Ruzhdi Maqinaj, Artan Muçmata, Dritan Noku e Andi Sharra. Nën hetim janë Gojard Duro, Tomor Noku,  Ervis Hysmeli, Arten Bushi dhe Çoban Murataj.

Sipas policisë po vijon puna edhe për identifikimin dhe kapjen e të tjerë personave që bllokuan rrugën. Policia thekson ndër të tjera se në rrugën “Teodor Keko” në zonën e Unazës së Re këta persona kanë organizuar e zhvilluar një tubim të paligjshëm dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit rrugor në të dyja drejtimet e rrugës, duke kundërshtuar dhe mos iu bindur thirrjeve të Policisë për të liruar rrugën.

Protesta e së dielës u udhëhoq nga Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili sfidoi hapur ndryshimet e miratuara nga Kuvendi për Kodin Penal. Pas shoqërimit të protestuesve nga policia Basha bëri një deklaratë për mediat ku theksonte se  “nëse lajmet nga Brukseli janë negative, askush mos ta vërë në dyshim, se ngjarje si kjo e sotmja janë shkaku”.



Skip to toolbar