Klima përplas Trump me Greta Thunberg: ‘Shtëpia jonë’ është në flakë

BOTA


Ndryshimet klimatike kanë përplasur presidentin e SHBA, Donald Trump me aktivisten e re suedeze Greta Thunberg, në Forumin Ekonomik që zhvillohet në Davos. Trump, duke folur për zhvillimin ekonomik, u ndal edhe te protestat dhe deklaratat e shumta shqetësuese që janë bërë në lidhje me ndryshimet klimatike, duke i quajtur këta aktivistë si “profetë të apokalipsit”. Edhe pse nuk  përmendi emra, deklarata e Trump u interpretuar si një sulm kundër aktivistet 17-vjeçare Thunberg.

“Duhet të injorohen profetët shumëvjeçarë të cilët thonë vetëm do të vijë fundi i botës. Këta alarmistë gjithmonë kërkojnë të njëjtën gjë, fuqi absolute për të dominuar, transformuar dhe kontrolluar çdo aspekt të jetës sonë” – tha Trump.

Por nga ana tjetër Thunberg, e cila ndodhej në sallë, u shpreh se politikanët dhe biznesmenët e botës nuk janë duke parë se “shtëpia jonë” është në flakë dhe se ky zjarr po ndizet gjithmonë e më shumë për shkak të mosveprimit të tyre.

“Nëse nuk e keni parë ende, shtëpia jonë është në flakë. Mosveprimi juaj po i ndez flakët dhe po ju kërkojmë vetëm të veproni si t’i donit fëmijët tuaj përpara çdo gjëje tjetër. Por politikanët dhe liderat e biznesit kanë vetëm premtime dhe fjalë boshe’’, tha  Thunberg.



Skip to toolbar