Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka komentuar aktualitetin politik në vend, ndërsa e ka ndalur theksin tek zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, arsyet se përse opozita e bashkuar i humbi zgjedhjet, deklaratat e presidentit Ilir Meta, ftesa e kryeministrit Edi Rama për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike dhe ecurinë e reformës në drejtësi. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Klosi u shpreh se opozita i humbi zgjedhjet e 25 prillit pasi nuk ishte dhe ofroi alternativë, ndërsa theksoi se Partia Socialiste ishte zgjedhja më e mirë për qytetarët. Sipas tij, sjelljet anormale të presidentit Ilir Meta e çuan LSI-në atje ku e meriton, sikundër ishte marrja e vetëm 4 mandate deputetësh në zgjedhjet e 25 prillit. Sa i takon reformës në drejtësi, ish-kreu i SHISH u shpreh se ai beson tek ajo dhe se me ngritjen e saj, tashmë lufta kundër korrupsionit do të marrë një tjetër hov.
-Zoti Klosi, pas shumë debatesh e diskutimesh zgjedhjet parlamentare u mbajtën dhe tani kemi një fitues. Keni një koment për zgjedhjet e 25 prillit?
Komenti im për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit është se ato ishin zgjedhje të qeta dhe pa probleme. Nga kjo pikëpamje dua të theksoj se këto zgjedhje më pëlqyen shumë, pasi ishin të qeta, duke nisur nga procesi i votimit, deri tek numërimi i votave. Po ta shikoni me kujdes gjithë situatën gjatë procesit të zgjedhjeve dhe disa orë pasi zgjedhjet ishin mbyllur, të gjithë aktorët politikë i pranuan zgjedhjet, madje opozita nxitoi dhe u shfaq edhe entuziaste. Por më pas opozita ndryshoi qëndrim dhe nisi të kondensonte rezultatin, duke ndryshuar kurs. Megjithatë, për mua zgjedhjet e 25 prillit ishin zgjedhje shumë të mira dhe hiq atë incidentin e Elbasanit, mendoj se gjithçka shkoi mirë. Madje, madje dua t’ju kujtoj dhe të shtoj edhe diçka, që deri sa u mbyllën Qendrat e Votimit edhe humbësit e sotëm (opozita e bashkuar) shprehej se: “Fituam, në kutitë e votimit është vullneti i popullit, aty është shpresa dhe ardhmja e Shqipërisë, është shpresa për ndryshim, populli ka votuar ndryshimin, etj”. Dhe mu duk që më pas opozita u gjend përpara surprizës, pasi kur doli rezultatit u zhgënjyen. Kjo do të thotë se arsyet se përse zgjedhjet u zhvilluan të qeta, është edhe entuziazmi i treguar nga opozita se ato zgjedhje do t’i fitonte ajo. Pra, si përfundim dua të nënvizoj se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ishin të mira e të qeta, ndërsa fitoi ai që e meritonte dhe ishte më i miri!
-Ju ishit mes atyre që kishit bindje se Partia Socialiste do të fitonte dhe ashtu ndodhi. Pse e kishit këtë bindje?
Po është shumë e vërtetë dhe madje unë këtë gjë e kam thënë shpesh herë në intervistat që kam dhënë për ju dhe gazetën “SOT”, që zgjedhjet parlamentare do t’i fitonte Edi Rama dhe Partia Socialiste. Kështu që për të dalë tek pyetja juaj, ishin shumë faktorë që më bënin të mendoja se PS-ja do t’i fitonte zgjedhjet e 25 prillit. Arsyeja e parë është se Partia Socialiste ishte dhe është alternativa më e mirë në treg dhe për qytetarët. E dyta ka të bëjë me entuziazmin e tepruar dhe sigurinë që tregonte opozita, e cila mendonte se ishte fituese absolute e zgjedhjeve. Nuk e kuptova kurrë se nga buronte gjithë ky entuziazëm për opozitën, në një kohë që PS-ja ishte një hap para, pasi jo vetëm që ishte në institucione dhe nuk i braktisi ato, siç bëri opozita, por edhe fushatën elektorale e kishte nisur me kohë dhe kontaktet e saj me bazën kanë qenë thuajse të përditshme, e jo si minoranca që del në bazë një herë në katër vjet kur vijnë zgjedhjet. Pra, bindja ime ishte për shkak të rrjedhës së situatës, ku Partia Socialiste dhe qeveria e PS, tregoi se ishte në frymë e germë më afër popullit. Këtu dua të veçoj faktin që nga radha është arsyeja e tretë, siç është procesi i rindërtimit, i cili po ecën përpara falë punës së kësaj qeverie. Ndërsa arsyeja e katërt është pandemia, ku kryeministri Edi Rama tregoi se po e menaxhon mirë dhe se prioritet i tij për të vaksinuar popullatën kundër Covid-19, ishte një qasje dhe një ofertë që u pëlqye nga qytetarët. Ndërkohë arsyeja e pestë se përse zgjedhjet i fitoi Partia Socialiste është reforma në drejtësi, e cila së bashku me ato të sipërpërmendura, më bën të kuptoj se janë pikërisht këto ngjarje kaq të rëndësishme që në një farë mënyrë ndihmuan Edin të fitonte zgjedhjet e 25 prillit. Mos harroni edhe faktin që qeveria gjatë këtij mandatit të dytë ka punuar mirë dhe se të gjitha vërejtjet që duhet të bënte opozita për shumicën qeverisëse, unë i kam dëgjuar gjithashtu edhe nga vetë qeveria “Rama”. Kështu që në kushtet kur opozita ka bërë vërejtje kundër qeverisë për të cilat dhe vetë qeveria ka rezerva, në lojë hyri populli. Ky i fundit flet vetëm kur ka zgjedhje dhe foli të dielën e 25 prillit, duke i dhënë mandatin e tretë PS-së, pasi kjo ishte alternativa më e mirë.
-Partia Demokratike duket se konteston rezultatin. Basha u shpreh se luftuan përballë një masakre zgjedhore. Si i shihni qëndrimet e PD?
Janë kontestime artificiale që nuk i merr kush për bazë. Kjo opozitë ka kontestuar Partinë Socialiste qysh kur humbi zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Kështu që qëndrimet e Partisë Demokratike se luftoi përballë një masakre zgjedhore janë kontestime që artikulohen nga goja e një humbësi. Opozita e bashkuar i humbi zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe se këto justifikime që nxjerr tani, janë justifikime që dalin në kushtet e humbjes dhe dëshpërimit. Pra, opozita e gjendur përballë faktit që ka detyrime dhe do t’i japë llogari zgjedhësve të saj, drejton gishtin dhe ngre alarmin se iu vodhën votat!
-Çfarë nuk funksionoi sipas jush në opozitë që solli humbjen e saj?
Është shumë e thjeshtë të gjesh fajtorin dhe të drejtosh gishtin, por mendoj se tek opozita nuk funksionoi në tërësi fryma e punës dhe bashkëpunimit. Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, opozita e bashkuar nuk ishte alternativa më e mirë. Kështu që qytetarët e ndëshkuan me votë. Opozita e mori tatëpjetën që kur dogji mandatet e deputetëve dhe braktisi zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Më pas ajo nisi të fliste përralla që populli do ndryshimin dhe se këtu në Shqipëri nuk po ndryshon gjë, pasi këtë vend e bën vetëm opozita. Por fakti që jo më larg se dy vjet më parë kjo opozita që sot qan, tentoi me forcë e manifestime të dhunshme që të trembnin ose rrëzonin qeverinë “Rama”, tregoi se ata kishin zgjedhur rrugën e gabuar për të bërë atë që ajo e quan rotacion pushteti. Të gjithë këto nuk iu funksionuan. Nga ana tjetër ikja nga Parlamenti nuk u shoqërua me një kuadër pikësh se çfarë duhet të bënin ndryshe për të fituar besimin e popullit. Normalisht që ka opozita që për shembull kur do aprovohet një ligj nga mazhoranca qeverisëse, minoranca ofron projektin ose mendimin e saj. Pra, opozita nuk kishte një qeveri në hije që kur gabonte qeveria, ajo të dilte dhe të thoshte ne do ta bënim kështu apo ashtu. Mirëpo, opozita “i ra fyellit në një vrimë”, që i vodhën votat, por në asnjë rast nuk ofruan alternativë. Kështu që në kushtet kur opozita nuk ishte gati dhe nuk ishte në linjën e një qeverie të ardhshme, nuk kishte si të pretendonte që të votohej nga qytetarët.
-A mund të themi se ishte një dështim bashkëpunimi PD-LSI?
Unë e kam thënë edhe më parë që opozita nuk ishte një opozitë e vërtetë. Baza e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim janë shumë larg njëra-tjetrës. Mos harroni që para se këto dy parti të bashkëpunonin me njëra-tjetrën, PD-ja është ankuar gjithmonë se LSI-ja i ka marrë shumë vende pune, kanë pasur konflikte interesash. Kështu humbi Lëvizja Socialiste për Integrim vetë, jo Partia Demokratike nga LSI. Mos harroni që edhe politika e ndjekur nga Monika Kryemadhi linte për të dëshiruar. Kur opozita e bashkuar dogji mandatet e deputetëve, zonja Kryemadhi e mbështeti atë veprim radikal, pasi sipas saj, nuk kishin zgjedhje tjetër përballë qeverisë “Rama” dhe Partisë Socialiste. Ndërkohë që pak ditë më parë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi doli dhe kërkoi falje që dogji mandatet. Pra, që këtu tregohet se sa serioze është kjo forcë politike që bën deklarata dhe më pas rrëzon veten. Si përfundim mendoj se ishte një dështim bashkëpunimi PD-LSI. Dhe këtu dua të shtoj se Lëvizja Socialiste për Integrim me katër mandate që mori shkoi atje ku e ka vendin dhe peshën elektorale.
-Ka shumë zëra që thonë se qëllimi i dy partive të mëdha ishte të shkrinin LSI. Mendoni se ka pasur një qëllim të tillë? Duke qenë se LSI doli më e humbura realisht nga këto zgjedhje.
Absolutisht që Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, nuk duan që Lëvizja Socialiste për Integrim të ekzistojë. Dhe rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ku LSI doli partia më e humbur, tregoi që ka pasur një qëllim të kësaj natyre, ku PD dhe PS u investuan për ta shkrirë Lëvizjen Socialiste për Integrim.
-Kryeministri Rama i ka bërë një ftesë PD për bashkëpunim. Mendoni se do të ishte e mundur që të kishim një zhvillim të tillë? Rama e ka bërë të qartë se nuk ka asnjë limit. Ndërsa shprehet se ka ardhur koha që të marrë fund politika konfliktuale dhe të kemi një politikë perëndimore.
Ftesa e kryeministrit Edi Rama për bashkëpunim me Partinë Demokratike është një ftesë që bëhet në kushtet kur Partia Socialiste është forcë fituese. Nga kjo pikëpamje dua të them se Edi ka luksin që të bëjë ftesa për bashkëpunim me PD-në. Por në parim kjo ftesë për bashkëpunim në qeveri nuk është e arsyeshme, pasi mendoj se bashkëpunimi mes këtyre dy forcave politike do të ndodhë në Parlament, gjithmonë nëse arrihet kjo gjë. Është normale që edhe për punën e qeverisë që të ketë një opozitë konstruktive dhe bashkëpunuese. Pse e them këtë? E them këtë pasi kemi përpara akoma shumë vendime që do të merren që jo vetëm që kërkojnë një shumicë të cilësuar, por janë vendime që duan konsensus të gjerë për shkak të procesit të integrimit. Kështu që thirrja e kryeministrit Rama është e arsyeshme kur mendon që Shqipëria ka përpara procesin e integrimit dhe përmbylljen me suksese të kushteve të vendosura nga Brukseli. Edi nuk vendosi kushte, por tha që ftesa e tij për Partinë Demokratike është pa limit dhe se PD-ja mund të bëjë propozimet e saj. Kështu mendoj se bashkëpunimi është i domosdoshëm dhe i bën mirë vendit, pasi realisht mendoj se ka ardhur koha që të marrë fund politika konfliktuale dhe të kemi një politikë perëndimore në Shqipëri. Pra, tani topi është në fushën e opozitës dhe i takon kësaj të fundit të bashkëpunojë dhe propozojë, në një kohë që ka terren, pasi kryeministri Edi Rama nuk ka vendosur limite. Thënë ndryshe Edi është treguar dashamirës që ka shtrirë dorën e bashkëpunimit me Partinë Demokratike, por dua ta ritheksoj se ai është në pozitën e fituesit dhe gjithmonë fituesi e ka këtë luks.
-Si e shihni pozicionin e presidentit? Para zgjedhjeve pati një angazhim shumë të madh të tij, ndërsa kulmi arriti kur kërkoi që të mpriheshin sfurqet e sëpatat për të mbrojtur votën. A doli Meta nga kostumi i presidentit?
Ilir Meta si president ka lënë shumë për të dëshiruar, madje edhe për miqtë e tij, pasi nuk u soll kurrë si një kryetar shtetit. Iliri u zhvesh totalisht nga roli i Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe bëri një figurë jo të pëlqyeshme. Kështu që fakti që Meta lëshoi edhe deklarata të forta që të mprihnin kosoret dhe sfurqet, tregoi se ishin thjesht thirrje në kuadër të deklaratave dhe se ai ndodhej në momente të vështira. Kështu që të gjitha këto dhe ky model i shëmtuar i ndjekur nga Iliri, bën që Lëvizja Socialiste për Integrim të kthehej në atë madhësinë elektorale të dikurshme.
-Mazhoranca këtë javë nis procedurat për shkarkimin e presidentit. Si e shihni këtë nismë dhe mendoni se do i shkojë deri në fund?
Nuk e di pasi jemi përballë një situate të koklavitur dhe të ngatërruar! Mazhoranca socialiste herën e parë kur ngriti komisionin hetimor premtoi se do t’i shkonte deri në fund shkarkimit të Presidentit Ilir Meta nga detyra. Por kjo gjë nuk ndodhi. Asokohe Partia Socialiste u tregua shumë entuziaste dhe premtoi se do ta shkarkonte Metën, mirëpo kjo gjë u venit. Kështu që këtë radhë nuk e di si do të shkojë kjo përplasje Rama-Meta edhe për faktin se kjo kohë që i ka mbetur Metës, e bën këtë të fundit më pak të rrezikshëm, pasi nuk është për shumë kohë president, duke qenë se i mbaron mandati vitin tjetër. Megjithatë, në kushtet kur jemi përballë faktit që Ilir Meta doli nga kostumi i presidentit, ndoshta mazhoranca këtë herë e ka më me pasion që t’i japë një mësim Ilirit, kështu që edhe mund ta shkarkojë. Pra, mund ta shkarkojnë për t’i dhënë një mesazh, që shiko se nuk tolerojmë gjerë që nuk të takojnë. Sidoqoftë, mbetet të shihet hapi dhe vendimi që do të marrë PS-ja.
-Një ngjarje që ka tërhequr vëmendje është reagimi, mund të themi i ashpër, i ambasadores Yuri Kim ndaj presidentit, ku tha se çdo deklaratë për dhunë duhet të ndëshkohet. Si i shihni raportet e Metës me amerikanët?
Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkëpunojnë me Shqipërinë. Natyrisht që Presidenti i Republikës së Shqipërisë është një figurë e rëndësishme e shtetit, por në këtë rast kjo përplasje mes Metës dhe SHBA nuk do të ndikojë në raportet mes dy vendeve.
-Në PD kanë nisur revoltat kundër Bashës. A mendoni se duhet të dorëhiqet lideri demokrat?
Nuk kam ndonjë koment për këtë pyetje!
-Si e shihni rolin e Berishës në këtë mes? Ai reagoi duke mos njohur zgjedhjet.
Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit i njohën ndërkombëtarët. Sali Berisha është një humbës dhe si duket nuk e përtyp dot humbjen, pasi diferenca që ka Partia Socialiste, krahasuar me Partinë Demokratike dhe aleatët e saj, nuk lë për të diskutuar, paragjykuar dhe vënë në pikëpyetje fituesin. Prandaj dhe aleatët e Bashës janë ngutur dhe kanë dalë të njohin zgjedhjet e madje të urojnë fituesin. Kështu që mendoj se nuk ka më vend të diskutuar se çfarë lexon Berisha. Saliun e pamë edhe nga votat që mori në 25 prill dhe kjo e tregoi qartë se sa i rëndësishëm është ai brenda Partisë Demokratike dhe në Shqipëri. Berishës i ka ikur koha. Madje, më pëlqeu diskutimi i një demokrati që tha pak ditë më parë se: Nëse Sali Berisha do ta kishte lënë politikën që në vitin 2013 kur dha dorëheqjen nga drejtimi i PD-së, ky do ishte një figurë e rëndësishme. Por duke qëndruar pas humbje që pësoi në vitin 2013, Sali Berisha është dobësuar si figurë dhe flet përçart. Pasi me deklaratat e çuditshme që bën, ai po dëmton figurën e tij. Berisha nuk është më ai që ka qenë dhe Saliun nuk e ndjek e dëgjon më askush. Populli e ka “halë në sy” Berishën. Madje, dua të shtoj se të gjitha demonstrimet dhe protestat që ka bërë opozita, pasi ato me molotov kanë qenë tubime të forta, morën ndëshkimin e popullit në 25 prill. Saliut nuk i shkon më kush pas. Berisha thirrjet për “20 shkurt” të dytë, i ka ëndrra me sy hapur! Vota e 25 prillit ishte ndëshkim për Berishën. Populli e tregoi me mençuri në 25 prill, pasi hodhi votën dhe tha fjalën e vet.
-Zgjedhjet ikën dhe tani fokusi do të jetë te reforma në drejtësi. SPAK dërgoi për gjykim Adriatik Llallën, ndërsa u sekuestruan pasuritë për Bashkim Dedjen dhe 2 gjyqtare. A janë këto sinjale se po troket lufta antikorrupsion?
Unë e kam thënë edhe më parë që Adriatik Llalla ishte një dështim në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Nga kjo pikëpamje fakti që Llalla është shpallur “non grata” nga amerikanët, tregon se ata dinë shumë gjëra për zyrtarët shqiptarë, sidomos klasën e të korruptuarve. Llalla ishte një mashë e atyre që e vunë në krye të institucionit të akuzës. Nga kjo pikëpamje dhe për të hyrë në brendi të pyetjes tuaj, dua të theksoj se lufta kundër korrupsionit ka trokitur në Shqipëri qysh kur u hodhën themelet e reformës në drejtësi. Askush nga zyrtarët dhe politikanët shqiptarë nuk e mendonte se me reformën do të merrte fund pandëshkueshmëria në Shqipëri. Mirëpo unë e kam thënë edhe më parë për gazetën tuaj se unë besoj tek reforma në drejtësi, kjo edhe për faktin se pas kësaj reforme fshihet Uashingtoni dhe Brukseli. Amerikanët dhe europianët kanë investuar shumë për reformën në drejtësi dhe fakti që pas saj fshihen ata, është një ogur i mirë për qytetarët dhe një ogur i zi për politikanët dhe zyrtarët e korruptuar. Reforma në drejtësi nuk është bërë thjesht për të ndihmuar Shqipërinë, por për këtë reformë është investuar nga partnerët për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Amerikanët kanë vënë një bast që drejtësia dhe korrupsioni do të pastrohet në Shqipëri. Dhe pavarësisht se si po ecën reforma ngadalë, duhet të theksohet fakti se sa më ngadalë të ecë ajo, aq më i sigurt është hapi që hidhet. Pasi ngadalësimi lidhet me faktin që iu kopsiten dosjet. Unë shpresoj që reforma në drejtësi do të japë rezultatet. Rastet që ju keni cituar janë vetëm fillimi.
-Kush janë më të rrezikuar nga kjo reformë dhe mendoni se SPAK do godasë edhe majtas edhe djathtas?
Ka ardhur koha që prokurorët e SPAK të mos tremben, por të guxojnë dhe të çojnë para drejtësisë gjithë kastën e zyrtarëve të korruptuar në Shqipëri. Prokurorët specialë në radhë të parë respektojnë veten, nëse nisin procedim penal ndaj një zyrtari apo politikani të korruptuar. Kështu që në kushtet që deri më tani gjërat nuk kanë ecur, ka qenë për faktin se politika ka futur hundët tek sistemi i drejtësisë, ku togat e zeza u janë nënshtruar politikanëve. Pasi për dreq ndonjëherë politika ka në dorë emërimet, pasi Parlamenti i Shqipërisë i bën në emër të popullit të gjitha emërimet e rëndësishme. Kështu që drejtësia ka akoma një lidhje me Kuvendin. Por nëse do të krijohet tradita dhe këtu një rol të madh ka garancia që japin ndërkombëtarët, që njerëzit e drejtësisë kur vendosen aty nuk kanë më frikë nga politika, unë them se gjërat do të shkojnë mirë dhe aty ku duhen. Për shembull kini parasysh vende të tjera të mëdha, ku gjykatësit e mëdhenj të Gjykatës së Lartë apo Gjykatës Kushtetuese janë njerëz me reputacion të padiskutueshëm që në të vërtetë janë emëruar nga politika, por janë emëruar se e meritonin. Pra, si përfundim me katarsisin që u bë në sistemin e drejtësisë, ku procesi i vetingut flaku jashtë sistemit plot prokurorë dhe gjyqtarë, tregon se po vjen koha për të shfarosur korrupsionin. SPAK nuk duhet të bëjë dallime dhe me mbështetjen e fortë të amerikanëve që ka, pasi këtë të fundit kanë të dhëna për të korruptuarit në Shqipëri, jam i bindur që do godasë edhe majtas edhe djathtas. SPAK nuk duhet t’i trembet politikës. Ka ardhur koha që prokurorët e SPAK të tregohen kurajozë dhe të godasin me zero tolerancë kastën e të korruptuarve, pasi këtë gjë e presim të gjithë./ sot