Krijohet SPAK, KLP emëron unanimisht 8 prokurorët e parë. Betimi, më 19 dhjetor te Presidenti

AKTUALITET


Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar vendimin për emërimin e 8 prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Bëhet fjalë për 8 prokurorët, Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondili, Elida Celami (Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho. Emërimi i tyre është bërë 11 vota pro nga KLP, ndërkohë që në këtë vendim cilësohet se ata nisin punë pas betimit te Presidenti, që do të bëhet me 19 dhjetor.

Relacioni i paraqitur nga anëtari i KLP Bujar Sheshi përmban ecurinë e gjithë procesit nga data e hapjes së garës për SPAK deri sot në vendimin e emërimit të 8 prokurorëve të parë. Sipas kreut të KLP Gent Ibrahimi, prokurorët e SPAK betohen për një mandat 9-vjeçar pa të drejtë riemërimi dhe procesi kërkon votim nominal për secilin prej tyre. Në datën 19 dhjetor këta 8 prokurorë do të kryejnë betimin para Presidentit dhe ky vendim hyn në fuqi.

Në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, neni 6, pika 2 për “Kufizimin e mandatit me ligj” thuhet se “Mandati fillon ditën kur bëhet ceremonia e betimit përpara Presidentit të Republikës. Data e betimit i njoftohet dhe Këshillit dhe përfshihet në dosjen personale”.

Struktura e Posaçme Antikorrupsion është struktura e posaçme që do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me ngritjen e SPAK-ut do të shkrihet Gjykata për Krime të Rënda, kompetencat e së cilës do t’u kalojnë gjykatave në rrethe. SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit do të jenë struktura të specializuara për hetimin e korrupsionit dhe ligji parashikon se BKH-ja do të jetë në varësi të SPAK-ut, por gjithashtu edhe një njësi që kryen hetime të pavarura.



Skip to toolbar