KLP vendos për Alfred Ballën, 9 vota pro për përfundimin e mandatit të tij

AKTUALITET


Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi pro përfundimit të mandatit të Alfred Ballës. Tanimë, Balla nuk do të jetë në krye të KLP-së.

Nga 10 anëtarë, që ishte përbërja e komisionit, 9 prej tyre votuan pro shkarkimit të Ballës.

Drejtimin e KLP-së do ta marrë Tartar Bazaj.

“Alfred Balla nuk mund të ishtr më pjesë e KLP për sa kohë, KPA vendosi ta përjashtojë për 15 vitet e ardhshme nga sistemi i drejtësisë. Nga 10 anëtarët, 9 prej tyre votuan pro përfundimit të mandatit të Alfred Ballës. Komisioni vendosi përfundimin e mandatit të Alfred Balës, që nuk do të drejtojë më KLP. KLP do të drejtohet nga zëvendësi tjetër, Tartar Bazaj, ku edhe ky i fundit vjen nga radha e shoqërisë civile”, raportoi ndër të tjera gazetari i ABC News, Ermal Vija.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e Ballës dhe përjashtimin nga sistemi i drejtësisë për 15 vite. Balla përmes një shkrese tha se vendimi nuk ka efekt të menjëhershëm pasi ai ishte zgjedhur si përfaqësues i shoqërisë civile.

Alfred Balla u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në shkurt të vitit 2018 nga Kuvendi i Shqipërisë, si përfaqësues i shoqërisë civile dhe prej asaj kohe mbante postin e zv/kryetarit. Ndërsa në mars të vitit 2022 u zgjodh kryetar i këtij Këshilli, me një mandat 2 vjeçar. Balla iu nënshtrua procesit të vitingut për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë nga viti 2012 deri në vitin 2017.

Në KPK, trupa vlerësoi me shumicë se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar. Por ky vendim u ankimua nga Komisioneri Publik me argumentin se përveç ndërprerjes së vetingut Ballës ti ndalohet e drejta që të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë për 15 vitet e ardhshme. /abcnews.al



Skip to toolbar