Tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë para pak ditësh, i cili solli viktima dhe dëme të shumta, ka bërë që shumë njerëz të solidarizohen me vendin tonë. Klubi francez i Marsejës, ku për disa vite ka luajtur edhe Lorik Cana, i cili ka mbajtur aty edhe shiritin e kapitenit do të ndihmojë vendin tonë.
Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, klubi francez i shpreh ngushëllime familjeve që humbën personat e tyre nga tërmeti dhe ka ftuar fansat të ofrojnë ndihma për të prekurit.
“Shqipëria, kombi i ish-kapitenin tonë Lorik Cana, është goditur javën e kaluar nga një tërmet i fuqishëm. Olimpik Marsejë i jep mbështetjen popullit shqiptar dhe u shpreh ngushëllimet familjeve të goditura nga ky tërmet. Klubi dëshiron të sensibilizojë mbështetësit e tij për këtë ngjarje tragjike dhe ju informojmë se është e mundur që të dhuroni për popullatën shqiptare të goditur nga lëkundjet sizmike”, shkruan klubi francez në faqen zyrtare.