Kokaina në lëkurën e kafshëve, Apeli i GJKKO lë në fuqi masat për 10 anëtarët e grupit

AKTUALITET


Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg” për 10 anëtarët e grupit kriminal të dyshuar për trafikun e kokainës në lëkurën e kafshëve.

Apeli nuk ka pranuar ankimin për një masë më të butë sigurie ndërsa mes të arrestuarve në operacionin e 15 nëntorit ishin dhe 3 të huaj, dy venezuelianë dhe një kolumbian që dyshohet se do të bënin ndarjen e kokainës nga lëkura e bagëtive.

Ndërkohë, kokaina e shkrirë në lëkurë gjedhi që u kap brenda laboratorit të sofistikuar të drogës në Qerekë të Fushë-Krujës i është nënshtruar analizave, që do të përcaktojnë saktësisht sesa kilogramë lëndë narkotike do të ekstraktoheshin nga ndarja e 48 tonëve lëkurë gjedhi.

Në këtë hetim në bashkëpunim me autoritetet e huaja, pasditen e 15 nëntorit u kryen kontrolle në disa vila në rezidencën e Vip-ave “Kodra e Diellit 2” në Tiranë, të cilat mund të kenë shërbyer si baza dytësore të këtij grupi.

850 lëkurat e kriposura të gjedhit në të cilat është fshehur kokainë, hetuesit shqiptarë në bashkëpunim me partnerët e huaj, e dinin shumë mirë se ishin ngarkuar në kontejnerë në vende të Amerikës Latine dhe do të vinin në rrugë detare në portin e Durrësit. Plot 48 ton, në dy ngarkesa, njëra në shtator dhe tjetra në nëntor, janë vëzhguar nga SPAK dhe janë lënë të veprojnë të lira deri në itinerarin e fundit, për t’i dhënë goditjen finale grupit të drogës, me 10 arrestime në total.



Skip to toolbar