Pas operacionit në një lokal të ish Bllokut, ku u arrestua pronari bashkë me punonjësit e lokalit për shpërndarje kokaine, policia ka sekuestruar edhe 306 gramë kokainë, e cila arrin një vlerë të konsiderueshme në treg, por këtë herë, shpërndarësi i çonte porositë me motor.
Policia e Tiranës tha operacioni u krye gjatë kontrolleve të shtuara dhe goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara nga stukuarat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale , të shpërndarjes në doza të vogla të drogave të forta, kryesisht kokainë. Konkretisht, shërbimet e komisariatit nr. 2 vunë në pranga shpërndarësit A. H., 45 vjeç, banues në Tiranë.
Ky person, sipas policisë, në rrugën “Prokop Mima” po lëvizte me motor ku gjatë ndërhyrjes së policisë ka hedhur në tokë dy qese brenda së cilave kishte lëndë narkotike, e dyshuar Kokainë. Këtë lëndë e kishte bërë gati për t’ua çuar klientëve që e kishin porositur. Nga kontrolli i banesës iu gjet dhe një sasi tjetër kokaine, në total 306.2 gramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve vijon puna për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.