Kokainë në lokalet e tallavasë, në pranga 25-vjeçari

AKTUALITET


Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 25 vjeçar i cili akuzohet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike si dhe ka proceduar në gjendje të lirë pronarin e një lokali me muzikë tallava, që ishte kthyer në vend të konsumit të kokainës.  Kontrolli i policisë në këtë lokal është bërë pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative në zonën e Shkozetit, ndërsa në vazhgimin e policisë për të goditur shitjen e lëndëve narkotike janë të gjitha lokalet e natës ku dyshohet për mbrojtjen e elementëve kriminalë.

Policia njofton se në pranga ka rënë shtetasi E.K., 25 vjeç, banues në Durrës, i cili akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ndërsa pronari i lokalit shtetasi S.M., 27 vjeç, banues në Durrës, është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të shtetasit S.M., i cili kishte përshtatur ambientet për konsumim të lëndëve narkotike, në tavolinën e shtetasit E.K., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale doza lënde narkotike e dyshuar e llojit kokainë, një kapak metalik me mbetje të lëndës narkotike dhe kartëmonedha në formë tubi, me anë të cilave ishin konsumuar lëndë narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.



Skip to toolbar