Kombëtarja shqiptare është rikthyer të dielën në fushë në kampin bazë stërvitor të kuqezinjve në Kaiserau pas sfidës debutuese me Italinë, që u luajt një natë më parë në stadiumin e Dortmundit.
Skuadra iu drejtua fushës në orën 12:00 me grupin të ndarë në dy pjesë.
Lojtarët që ishin titullarë ndaj Italisë kryen stërvitje të lehtë dhe pa ngarkesa, mes palestrës dhe fushës, ndërsa lojtarët që nuk u aktivizuan ose luajtën pak minuta bënë stërvitje me ngarkesë të plotë.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë dhe nuk ka probleme fizike.
Kuqezinjtë do të vijojnë stërvitjen këtë të hënë teksa do të ketë vetëm një seancë stërvitore, që do të nisë në ora 16:00 dhe do të jetë e hapur 15 minutat e para për mediat.
Ndërkaq, në ora 13:00 do të ketë edhe një konferencë për mediat me një nga futbollistët e Kombëtares, që do të transmetohet direkt në kanalin e FSHF në Youtube.