Komisioneri i BE-së për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič ka parë nga afër dëmet e tërmetit në qytetin e Durrësit dhe të Vorës ku është shoqëruar nga kryeministri Rama dhe ku kanë takuar edhe banorë të prekur nga dëmtimet, ndërsa për gazetarët ka konfirmuar se pas fondit prej 15 milionë eurosh të akorduar nga KE, do të ketë të tjera fonde në ndihmë të Shqipërisë.
“Prania ime këtu është në fakt demonstrim i solidaritet të BE me Shqipërinë. Ne qëndrojmë krah për krah me ju që ju ta dini që nuk jeni vetëm. Shpreh ngushëllimet e mia për ata që humbën jetën. Shpreh dhembshurinë time për të gjithë ju që keni pësuar dëme. BE reagoi në mënyrë të menjëhershme. Të martën e shkuar ne ishin këtu. Kemi dhënë asistencën tonë që atë ditë. Shqipëria është pjesë e Europës, ne nuk do ju lëmë vetëm. BE do vijojë të jetë krah jush. Ju jeni një vend kandidat. Ne do ju japim mbështetje edhe në fazën e rindërtimit. Në fund më lejoni të them se si u tha dje, KE ka vënë menjëanë 15 mln euro për fazën e rindërtimit i cili do të nisë pas vlerësimit. Fillimisht bëhet vlerësimi i dëmeve dhe KE ka qenë në kontakt jo vetëm me OKB por edhe me bankën botërore. Vetëm pasi të kemi marrë të dhënat do kemi një shifër për fazën tjetër të rindërtimit”, tha eurokomisioneri.
Ndërsa kryeministri Rama në fjalën e tij e vendosi theksin te krijimi në të ardhmen të një strukturë të vetme në Ballkanin Perëndimor që të aktivizohej menjëherë sapo në një nga këto vende të kishte një fatkeqësi natyrore, ashtu sikur funksionojnë vendet e BE-së. “Ne nuk mund të parandalojmë tërmetet, por dëmet më të shumta. Do të ishte fantastike që të bënim, që në mënyrë të natyrshme, që ata ekipe që do të merreshin me fatkeqësitë natyrore në Ballkanin Perëndimor, të shikohej si infrastrukturë e vetme, si ajo në BE që funksionon. Pra të marrim pjesë si të vetëm, mund të jemi më të fortë nëse krijojmë një mekanizëm, që menjëherë sapo të ndodhë diçka në një nga këto vende të shkojnë menjëherë”, tha Rama.