Komisionet Hetimore/ Kushtetuesja rrëzon “Rithemelimin”, refuzon pezullimin e ligjit

AKTUALITET


TIRANË- Gjykata Kushtetuese refuzoi të pezullojë ligjin e ri të komisioneve hetimore, duke thënë se do të vendosë me vendim përfundimtar nëse do ta rrëzojë apo ta lërë në fuqi.

Gazetarja e ABC News, Erneta Shevroja, raportoi më herët se argumenti i gjykatës për këtë vendim ishte se nuk kishte emergjence dhe vendimi final për ta shfuqizuar, siç kërkon opozita, ose lëne në fuqi ligjin, do të merret shpejt.

Konkretisht, Kushtetuesja vendosi të hedhë poshtë kërkesën me shumicë votash pasi nuk plotëson kriteret e nenit 45 të ligjit në lidhje me pasojat e pariparueshme dhe urgjencën në kushtet kur gjykata ka pranuar kërkesën për përshpejtim.

“Rithemelimi” ishte kundër këtij ligji të ri për Komisionet Hetimore, për shkak se e konsideronte atë si antikushtetues.

Sipas tyre, ky ligj kufizonte të drejtën e saj ligjore për të kontrolluar ekzekutivin.

Njoftimi i plotë:

Në datën 27.05.2024 Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare publike kërkesën e 33 deputetëve të Kuvendit, në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se një e pesta e deputetëve, me objekt:

“Shfuqizimi i ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”.

Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit””.

Në lidhje me kërkesën për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, Gjykata, pasi dëgjoi pretendimet e palëve në seancë plenare, vlerësoi se kërkesa për pezullimin e zbatimit të ligjit nuk plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në lidhje me pasojat e pariparueshme dhe urgjencën, në kushtet kur Gjykata ka pranuar kërkesën e kërkuesit për përshpejtim dhe gjykimi për themelin e çështjes pritet të përfundojë së shpejti.

Për sa më sipër, trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me shumicë votash,

VENDOSI: Rrëzimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”./ abacnews.al



Skip to toolbar