Ish kandidati për kryetar të PD, Ibsen Elezi foli për ngritjen e Komisioneve Hetimore.
Gjatë një interviste në “Tirana Live” në ABC News Elezi u shpreh se Komisionet Hetimore janë shumë të rëndësishme, por u shpreh kritik ndaj qëndrimit të opozitës duke thënë se aksioni i saj nuk ka në themele parimet Kushtetuese.
“Komisionet Hetimore janë shumë të rëndësishme. Por ajo që nuk shkon është fakti që ky aksion nuk është ndërtuar në themel mbi parimet kushtetuese. Pra do të thotë të kesh të drejtë të ngrihet çdo komision. Kodi Zgjedhor është gjithashtu shumë i rëndësishëm.
Unë e theksoj se këto zgjedhje duhet të realizohen me lista të hapura dhe jo të mbyllura. Ajo që u kërkua nga grupi i Bashës për mendimin tim ka qenë korrekt edhe pse nuk pajtohem me atë që Basha ka bërë në PD. Por të kërkosh lista të hapura, votën e emigrantëve apo numërimin elektronik janë disa elementë që nuk vend për kompromis.
Nëse pala e Foltores dhe Rithemelimit dhe pala e zotit Basha do të ishin seriozë nuk do të ishim në këtë situatë. Të gjithë kanë fajet e tyre. Është më i rëndësishëm produkti i Komisionit dhe jo se kush është kryetari i Komisionit. Për të arritur një kompromis sistemi i listave të hapura është më i miri”, ka thënë ndër të tjera Elezi.