Gazetari Artur Nura ka deklaruar në emisionin “Real Story” se komuniteti çam nuk ka kërkuar kurrë rikthim të kufijve, por kanë kërkuar të kenë dy shtetësi dhe të drejtën e pronave në Greqi.
Ai ka theksuar se kryeministri Edi Rama është treguar më europian në qendrimin e tij, sesa Athina e cila iu referua historisë.
Sipas gazetarit, Rama e mbylli fjalimin e tij duke parë nga e ardhmja, nga standardet europiane e të drejtave të njeriut.
“Rama tha shohim nga e ardhmja dhe cila është? E para në mënyrën europiane të gjërave. Unë nuk kam dëgjuar asnjë nga përfaqësues të komunitetit çam në Shqipëri që të flasi për ndryshim kufijsh. Ata nuk kërkojnë gjë tjetër, përveç kërkojnë të drejtat e minoritetit në Athinë, në Greqi dhe ky është një standard europian, nuk është i së shkuarës. Ata kërkojnë mundësisht të njëjtat të drejtat me minoritetin grek në Shqipëri dhe do të ishte një urë bashkëpunimi mes dy vendeve. Komuniteti çam nuk ka kërkuar kurrë kthim me forcë, sepse do ta kishte bërë nëse donte.
Nuk ka kërkuar kurrë aneksim apo rikthim të territorit, apo pushtim të territorit nga Shqipëria, po kanë kërkuar të kenë dy shtetësi, të drejtën e pronave në Greqi. Kështu që t’i referohesh ndryshimit të kufijve për çështjen e komunitetit çam më duket e tepruar dhe historia duhet parë në këtë rast për shkollat, për universitetet dhe jo për diplomacinë. Rama e mbylli fjalimin e tij duke parë nga e ardhmja, nga standardet europiane e të drejtave të njeriut. Mund të njihet e drejta e kufizimit të ligjit të luftës. Kështu që në këtë plan më europian është treguar kryeministri Rama në qendrimin e tij, sesa Athina e cila iu referua historisë”, tha Nura./abcnews.al