Konfirmohen 4 vatra me gripin e shpendëve: Në Zall-Herr, Nartë, Paskuqan dhe Karavastasa

AKTUALITET


Ministria e Bujqësisë bën me dije se janë konfirmuar 4 vatra me gripin e shpendëve, përkatësisht në Zall Herr, Nartë, Paskuqan dhe në Lagunën e Karavastasë. Në njoftimin zyrtar, Ministria informon qytetarët se situata për Influencën Aviare në vend është nën kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm, nëpërmjet strukturave në qendër dhe atyre rajonale.

“Ky infeksion mund të parandalohet vetëm nëpërmjet zbatimit të masave të biosigurisë me qëllim uljen e nivelit të ekspozimit ndaj virusit i cili përhapet me rrugë ajrore dhe ato të kontaktit me shpendët portatorë, të egër dhe migratorë për në fermat dhe oborret familjare, të cilët mbarështojnë shpendë.”

Duke qenë se dy prej rasteve në vatrat aktuale pozitive janë të pranishëm në specie të shpendëve të egër, Ministria e Bujqësisë fton fermerët dhe qytetarët të rrisin vigjilencën dhe të bashkëpunojnë me qëllim jo vetëm raportimin në kohë të cdo dyshimi nëpërmjet komunikimit, por dhe zbatimit rigoroz të masave të biosigurisë dhe kufizimit të ekspozimit të shpendëve në mjedise të hapura, për të ulur nivelin e riskut të kontaktit me shpendët e egër dhe migratorë.

Ndërkohë më 7 Janar të këtij viti, autoritetet kanë konfirmuar se analizat e zogjve të egër të gjetur të ngordhur pak ditë më parë në zonën e plazhit të vjetër të Vlorës rezultuan pozitive me Influencë Aviare të nëntipit H5N1.



Skip to toolbar