“Test idioti” për shoferët, Lleshaj: Masa të ashpra për sigurinë rrugore

AKTUALITET


Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ndërsa tha se aksidentet rrugore vrasin 5 herë më shumë njerëz se krimi, theksoi se një seri masash të ashpra do të ndërmerren përgjatë vitit 2020 për të rritur sigurinë në rrugë, dhe një ndër to është “testi i idiotit” për shoferët agresivë si dhe rritja e kontrolleve nëpër autoshkolla.

 “Kemi shumë të vrarë në rrugët e vendit dhe ky numër duhet të ulet. Duhet të ulet dhe numri i aksidenteve dhe të plagosurit. Vetëm për një javë janë hequr 371 leje drejtimi dhe ende persiston një lloj sjelljeje në rrugë e papranueshme. Bie në sy një sjellje agresive në rrugë. Kemi ende përdorues rruge që nuk e meritojnë lejen e drejtimit që kanë. Ka ardhur koha të mendojmë për teste psikologjike për drejtuesit e mjetit që verifikojnë stabilitetin psikologjik të tyre. Në Gjermani quhet testi i “idiotit” “, tha ministri Lleshaj, i cili propozoi gjithashtu që çdo drejtues të ketë një kartelë të tij biografike.

Në një konferencë për sigurinë rrugore ku merrte pjesë ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe drejtori i përgjithshëm i policisë, Ardi Veliu, ministri Lleshaj tha se ministria që ai drejton do të prezantojë një seri masash duke nisur që nga përdorimi i telefonit në timon e deri tek kontrollet që do ushtrohen nëpër autoshkolla, pasi siç tha vërehet se nuk nxjerrin shoferë të aftë.

“Do të bëjmë shtim të masave të akteve ligjore për kufizimin e celularit gjatë përdorimit të mjetit, dhe alkoolit gjithashtu. Ende ka një sjellje të lartë të papranueshme ku bëhen gara shpejtësie e përdoren narkotikë. Kërkohet një program i gjerë masash. Teste të vazhdueshme psikologjike.

Një aspekt tjetër është kërkimi i masave për të rritur përgjegjësinë e autoshkollave. Nuk është vetëm thashethem, por në shumë raste autoshkollat nuk plotësojnë detyrat për shoferë të aftë. Do gjejmë mënyra për këto autoshkolla për nxënësit që nxjerrin. Do të kërkojmë akreditim. Bashkëpunim me agjencitë shtetërore, për shembull mes dy ministrive. Duhet të ndërtojmë instrumente të përshtatshme për trafikun rrugor, t’i monitorojmë. Ta kufizojmë hapësirën për të përdorur makinat si armë”, tha Lleshaj.



Skip to toolbar